Mulliri 200 vjeçar që banorët e njohin si i Ali Pashës, i rikonstruktuar gjatë kohës së pashait, ruan të njëjtat funksione si dikur.
Gurët qindravjeçarë të blojës bluajnë misër dhe grurë për të plotësuar nevojat e më shumë se 5.000 banorëve të zonës, ndërsa pjesa e depozitës së ujit në dalje të mullirit i shërben ende larjes së të leshtave të popullsisë së blegtorëve të kësaj zone.
“Ka funksionuar që kur është bërë në fillim, që 230 vjet më parë. Kur u prish kooperativa e bleva dhe e kam ruajtur me mish e me shpirt, sepse është një vepër e pazëvendësueshme”, tregon Lefter Bleta.
Neshat Hadëri, i lindur në Tepelenë, kujton se edhe gjatë fëmijërisë së tij ky objekt ngjallte kërshëri dhe ishte gjithnjë funksional.
“Kur isha fëmijë ky mulli bluante grurin dhe misrin. Ky është një objekt ka vlera. Kur i fut e i nxjerr lëkurët nga uji është një kënaqësi t’i shohësh të pastra”, thotë Hadëri.
Adelina, gruaja që merret me larjen e lëkurëve, thotë se tradita është e trashëguar dhe pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë në stilin e trajtimit të lëkurëve dhe mbulesave të rënda të dimrit.
“Neve ujin këtu e përdorim për të larë. Lajmë qilimë, gunat e çobanëve, etj. Vijnë shumë vetë këtu”, thotë Adelina Bleta.
Mulliri i Ali Pashës është diskutuar shumë herë për t’i dhënë statusin e monumentit të kulturës, por megjithë historinë që mbart, ai përfaqëson një objekt të zakonshëm.
Top Channel