Në Bruksel u mbajt ministeriali i NATO-s që diskutoi axhendën e samitit të shtatorit që do të mbahet në Britaninë e Madhe.

Takimin e ndoqi drejtori i Informacionit të Top News, Elert Yzeiri, i cili nga Brukseli deklaroi se “ky është një nga dy ministerialet që zhvillohen. Janë ministeriale shumë të rëndësishme që mbahen në një moment të vështirë. Vëmendja ka qenë kriza e Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka bërë një rezyme të situatave që po kalon aleanca aktualisht. Shqetësim të madh përbëjnë edhe shpenzimet e ushtrisë. NATO-ja ka vendosur limitin prej 2% të GDP-së që duhet ta plotësojnë të gjitha vendet anëtare të NATO-s”.

Në këtë ministerial ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila e vlerësoi kështu këtë takim: “Është shumë i rëndësishëm pasi përcakton temat për të cilat do të flitet në Uells. Kryesisht, diskutimi mbetet tek kriza e Ukrainës, por edhe me problematika të tjera me të cilat NATO-ja përballet çdo ditë.”

Në lidhje me buxhetin e Shqipërisë dhe shpenzimet për NATO-n, Kodheli deklaroi: “Paratë janë shpenzuar keq në të kaluarën. Është abuzuar me to dhe nuk janë përdorur për modernizimin e forcave tona të armatosura. Fokusi do të jetë vetëm ky: modernizimi i forcave të armatosura, rritja e mundësisë së tyre për t’u trajnuar, shkolluar dhe ngritja në të njëjtin nivel me forcat e armatosura të të gjithë vendeve anëtare të NATO-s.

Duke u ndalur tek takimet bilaterale të saj në kuadër të këtij ministeriali, zonja Kodheli u shpreh: “Unë jam takuar me doktoreshën Farkas, e cila është zëvendës/asistentja e sekretarit të Mbrojtjes Hegëll, diskutuam rreth asaj që po ndodh në Shqipëri, punës së Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me reformën e thellë në Forcat e Armatosura, shpenzimet ushtarake dhe për kuadrin ligjor i cili po ndryshon, por e sigurova se presidentit nuk do i preken kompetencat.”

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel