Kur Shqipëria ka pak ditë që ka hapur zyrtarisht dyert për turistët, emisioni “Shqip”  i kësaj të hënë nisi ciklin e emisioneve kushtuar kësaj teme.

Këtë të hënë “Shqip” me Rudina Xhungën u ndal në qytetin e Lasgushit, Pogradec me të ftuar në panelin e improvizuar, Ministren e Turizmit, Eglantina Gjermeni, kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, Kryetarin e Komunës së Strugës, Zijadin Sela, kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila dhe piktorin Anastas Konstandini.

I pari që mori fjalën ishte piktori Konstandini i cili jo më kot ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij artistike në Pogradec.

“Panorama këtu është e paimagjinueshme, Pogradeci është kampion i panoramës. E kam dëgjuar vetë Lasgushin kur thoshte që nga liqeni ynë panorama është më e bukur. Nga peisazhi Lasgushi kërkoi të bëhej piktor, pavarësisht se u bë poet. Shumë filma janë krijuar në Pogradec. Pamja është e përditëshme e liqenit dhe tani është akoma më mirë sepse ka mundësi që të shijojmë të gjithë cepat e liqenit”, tha ai.

Kreu i Komunës së Strugës shtoi: “Çdo herë Pogradecin e kam parë si mirazh që krijohej në gjatësinë e liqenit dhe Pogradeci është një qytet i bukur”.

Ndërsa kryetarja e Komunës së Gjakovës ftoi kosovarët që të vizitojnë Pogradecin.

“Gjakova është e vecantë në mënyrën e vet për Kosovën,edhe pogradeci është i vecantë në mënyrën e vet. Ftoj gjakovarët që të vizitojnë Pogradecin”, tha ajo.

Kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi vlerësoi binjakëzimin me Gjakovën dhe u shpreh i kënaqur nga rezultatet e përftuara nga ky bashkëpunim. Ai tha se do të synohet të zgjerohen akoma më tej kontaktet mes dy qyteteve dhe ofertave të ndërsjellta për qytetarët e të dyja anëve.

Ministrja Gjermeni tha se politikat e qeverisë synojnë një turizëm pa kufij, duke tërhequr fillimisht shqiptarët jo vetëm në rajon, por edhe ata të diasporës.

“Turizmi pa kufi është pjesë e strategjisë së Ministrisë së Turizmit që turizmi të rritet filimisht me shqiptarët kudo që ndodhen dhe më pas me të huajt. Turizmi pa kufij është që të nxjerrim në pah bukuritë natyrore, të tregojmë trashëgiminë kulturore dhe historike dhe të shpalosim mikpritjen”, deklaroi Gjermeni duke vlerësuar nismat për binjakëzimet mes qyteteve shqiptare dhe atyre në Kosovë.

Për t’iu rikthyer më konkretisht Pogradecit, kreu i Bashkisë, Artan Shkëmbi bëri një rezyme të punës së institucionit që ai drejton, vecanërisht në atë që quhet turizëm kulturor. Pogradeci është vend i një sërë figurash, por ndër ta dy ngrihen disi më lartë, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Fatkeqësisht dy shtëpitë ku kanë jetuar këta dy kolosë të letrave shqipe, janë në gjendje të mjeruar.

“Shtëpia e Mitrush Kutelit është e djegur e rrafshuar. Ne i kemi propozuar familjes rikonstruksionin, por ata refuzuan”, tha Shkëmbi.

Kryebashkiaku ngriti problemin e pronave që nuk janë prekur fare nga pronarët që u janë kthyer pas viteve ’90.

“Pas 90 prona iu kthye privatit. Ka pronarë që kanë investuar, ka të tjerë që e kanë lënë në gjendje të mjeruar dhe nuk pranojnë as që të investohet, por as që të shesin. Ne i kemi duart e lidhura, nuk mund të ndërhyjmë, as për të korrur barin në një pronë private”, tha Shkëmbi.

Lidhur me këtë cështje, Ministrja Gjermeni tha se prona është problemi i madh i gjithë shoqërisë shqiptare që qeveria po e adreson hap pas hapi.

Pjesën e dytë panelit iu bashkua Ministri i Industrisë dhe Tregtisë në Kosovë, Bernard Nikaj. Ai tha se turizmi është një degë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës, por jo primare dhe ndaj është futur në pjesën e industrisë, por jo i lënë pas dore.

Ministrja Gjermeni tha se Shqipëria ka se cfarë të mësojë nga Kosova në fushën e turizmit, vecanërisht në pjesën e legjislacionit. Gjermeni tha se Shqipëria është duke punuar për ngritjen e një agjencie kontrolli dhe vlerësimi të hoteleve dhe shërbimeve të tjera në dobi të turizmit për t’i dhënë një tjetër shtysë këtyre.

Artan Shkëmbi foli për projektin e vendosjes së një linje trageti në gjithë liqenin, që do të ndalej në Pogradec, Ohër, Strugë dhe Shën Naum. Një linjë e tillë, tha ai, do t’i jepte frymëmarrje të gjithë zonës. Kreu i Komunës së Strugës, Zijadin Sela mbështeti projektin. “Aq më tepër tani që qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë mund të lëvizin në të dyja kahet me karta identiteti, përse të mos bëhet”, tha ai.

Top Channel