Reformimi i arsimit parauniversitar

02/06/2014 00:00

Sistemi arsimor parauniversitar për nxënësit shqiptarë dhe të Kosovës do të jetë i njëjtë. Këtë vit shkollor sistemi parauniversitar do të bëhet 5 plus 4 plus 3 dhe në shumë shkolla do të pilotohet sistemi arsimor i Kosoves, i cili është implementuar nga sistemi gjerman.

“Shqipëria kalon në një sistem si Kosova, 5+4+3, me një fokus të veçantë për klasat parapërgatitore, që përkon me klasat për moshat 5-6 vjeç, për ta futur edhe këtë kategori në pjesën e sistemit të detyruar parauniveristar”, deklaron ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Programet do të jenë më pak të ngarkuar dhe mësuesi do të ketë një rol të rëndësishëm në dhënien e mësimit, performanca e të cilit do të matet nga rezultatet e nxënësve.

“Që në këtë shtator ne fillojmë pilotimin në disa shkolla të Shqipërisë për ta përdorur më lehtë shtatorin tjetër dhe për ta shtrirë në më shumë shkolla. Do ketë më pak ngarkesë të tepërt për nxënësin dhe më pak burokraci për mësuesin, si dhe shumë ndërveprim midis nxënësve dhe mësuesve”, nënvizon Nikolla.

Këtë vit arsimor, ky sistem do të aplikohet në disa shkolla shqiptare për të pasur një shtrirje më të gjerë gjatë viteve të ardhshme, pasi sistemi nuk mund të implementohet brenda një viti shkollor.

Top Channel