Rama: Deklarata e Irinejt, e padëshiruar

02/06/2014 00:00

Deklarata e djeshme e Patriarkut serb, Irinej, se Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë, duket se nuk është përtypur mirë jo vetëm nga opinioni publik, por as nga kryeministri Rama.

Burime pranë kryeministrit thonë se, pakënaqësia e Ramës ndaj deklaratës së Patriarkut serb nuk është mjaftuar thjesht dhe vetëm me bojkotimin e drekës zyrtare, të shtruar dje nga krerët ortodoksë.

Duket se një mesazh të qartë, Rama e ka dhënë edhe gjatë takimit të sotëm protokollar, që ai ka zhvilluar me përfaqësuesit e kishës, mes të cilëve edhe Patriarku serb Irinej.

Burime brenda në takim i’u përgjigjën interesimit të Top Channel mbi ecurinë e takimit, se kryeministri Rama i ka shprehur vizitorëve pakënaqësinë e tij lidhur me deklaratat e Patriarkut serb, duke thënë se futja e opinioneve politike të tij, në mesin e një feste fetare për shqiptarët, ka qenë krejt e padëshiruar.

Rama ka theksuar se komunitetin ortodoks, si çdo komunitet tjetër fetar, nuk e bashkon etnia, por besimi në Zotin pa kufij, ndaj dhe nuk duhet as ta ndajnë kufijtë etnikë e as, aq më pak, ta përfshijnë në debate të së shkuarës për kufijtë etnikë, vetë njerëzit e fesë.

Për më tepër, ka thënë kryeministri, askush që vjen në Shqipëri si përfaqësues i një feje, nuk duhet të harrojë se ky është vendi, ku bashkëjetojnë në harmoni komunitete të ndryshme fetare dhe ky vend multifetar duhet respektuar nga çdo vizitor, siç respekton çdo vizitor.

Fakti që autoritetet më të larta të shtetit ishin mbledhur dje, për të respektuar komunitetin ortodoks dhe kremtuar bashkë me të Katedralen e re, ishte shprehja tradicionale e respektit që ka në këtë vend për çdo fe, e çdo komunitet fetar, mësohet të ketë thënë Rama.

Dhe, – ka vijuar Rama, – Shqipëria është vendi më i gabuar për deklarata, si ato të Patriarkut serb. Pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, ky debat thjesht nuk ekziston më dhe deklaratat në fjalë thjesht nuk respektuan as vendin, as komunitetin ortodoks shqiptar e, padyshim, as komunitetet e tjera, duke e cënuar fatkeqësisht gëzimin për ngjarjen madhështore.

Top Channel