Rindërtimi i shkollës “Eqerem Çabej”

01/06/2014 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u ka uruar 1 Qershorin fëmijëve nga ambientet e shkollës “Eqerem Çabej” të cilat sapo kanë përfunduar së rikonstruktuari.

“I uroj të gjithë fëmijëve të kryeqytetit gëzuar 1 Qershorin dhe dua ta bëj këtë urim nga një vepër e re që Bashkia e Tiranës i ofron fëmijëve: nga shkolla “Eqerem Cabej”. Pas një inspektimi të hollësishëm të ndërtesës së re, unë them se ky është një shembull që do të ndiqet në çdo shkollë të re të kryeqytetit”, tha kryebashkiaku.

E rikonstruktuar sipas parametrave dhe standarteve europiane, shkolla është gati për të mirëpritur nxënësit e saj të cilët deri më tani kanë zhvilluar mësimin në shkolla të tjera. Ajo është e pajisur me sistem ngrohjeje dhe palestër moderne.

Basha tha se së shpejti do të mundësohen dhe ambiente të tjera sportive në oborrin e saj për të cilat pritet të negociohet me Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkohë që të tjera shkolla do të rikonstruktohen në kryeqytet.

“Puna për ta bërë Tiranën një qytet modern dhe europian po vazhdon. Jam i vendosur që pak nga pak ta sjellim Tiranën gjithmonë e më afër pranë standartit europian”, tha Basha.

Bashkia e Tiranës kishte organizuar një sërë aktivitetesh artistike dhe sportive për fëmijë me rastin e 1 Qershorit.

Top Channel