Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve

30/05/2014 00:00

Ministria e Financave sqaron se fondi prej 18 milionë dollarësh parashikuar në buxhetin e shtetit për pagesat e ish të përndjekurve gjatë vitit 2014 është i mjaftueshëm për të kryer pagesat për 1200 dosje që nuk kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit.

Erald Mihali, jurist pranë Drejtorisë së Pagesave në Ministrinë e Financave, thotë: “Rreth 200 dosje janë të paguara, që do të thotë 1 milion dollarë, ndërsa 100 dosje të tjera shpërndahen javën që vjen, pra 300 dosje ish të përndjekurish. Kemi fond për të gjitha dosjet e këstit të parë.”

Ministria e Financave thotë se këto pagesa janë kryer gjatë dy muajve të fundit, pas përmbylljes së procesit të inventarizimit të dosjeve që nuk kanë marrë asnjë këst. Por, ajo çka duket se ka bllokuar procesin e pagesave është mungesa në dokumentacion e rreth 800 dosjeve siç është akti i trashëgimisë për familjarët e ish të përndjekurve.

“Ky dokument është shumë i rëndësishëm, janë 800 dosje me probleme. Kjo nuk do të thotë që nuk skualifikohen, por përmbyllen pasi plotësohet dokumentacioni”, shpjegoi Mihali.

Ministria shpreh gatishmërinë për të sqaruar ish të përndjekurit apo trashëgimtarët e tyre pranë ambienteve të Ministrisë, ndërsa në faqen e saj zyrtare gjenden të publikuara të gjitha dosjet dhe mungesat në dokumentacion për secilën prej tyre.  

Top Channel