Turqi, përvjetori i protestave në Gejzi

28/05/2014 00:00

Më 28 Maj 2013, ambientalistët u mblodhën në parkun Gejzi të Stambollit, për të protestuar ndaj planeve të ngritjes së një qendre tregtare në atë vend.

Vala e tubimeve përfshiu shumë shpejt të gjithë Turqinë por, një vit më vonë, aktivistët shohin me keqardhje se përpjekja e tyre nuk shërbeu shumë.

Në fakt, ata ankohen se nuk shohin përmirësime. Artisti turk Erdem Güngüz, një ndër ikonat e lëvizjes së një viti më parë, rrëfeu për “Deutsche Welle” se qeveria turke kontrollon ende çdo gjë: mediat, gjyqësorin dhe forcat e rendit”.

“Policia – thotë 34-vjeçari, – nuk ka hequr dorë nga dhuna brutale. Nëse në rrugë dalin dhjetë protestues, aty menjëherë vijnë 60 policë me pompa uji; ne s’kemi fituar asgjë nga demonstratat; jemi në të njëjtën situatë, në mos më keq”, shton ai, duke iu referuar këtu edhe aksidentit në minierën e qymyrgurit, ku humbën jetën më shumë se 300 minatorë.

Që përvjetori të ketë një kuptim, njerëzit duhet të shkojnë në varret e viktimave në Soma. Për shkak të protestave në Gejzi, stili i qeverisë në Ankara është bërë më autoritar – kritikojnë politologët, – të cilët i përshkruajnë demonstratat masive të 2013-s, si sfidën e parë të madhe për kryeministrin Recep Tayyip Erdogan.

“Ai nuk ka frikë nga partitë e opozitës, por i druhet shumë fuqisë së rrugës dhe protestave, – shtojnë ekspertët. – Megjithatë, diçka (sado pak ndryshoi) u arrit me Gejzin një vit më parë: demonstratat ishin një kthesë për psikologjinë e njerëzve dhe frika për të shprehur mendimin e tyre hapur, tani është më e vogël”.

Top Channel