Siri, sulmohet autokolona e OPCW

27/05/2014 00:00

Një autokolonë e inspektorëve të OKB-së në Siri është sulmuar gjatë kohës që po udhëtonte për verifikime në një zonë, ku besohet të jetë përdorur gaz klorhidrik.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) thotë se ekspertët nuk kanë pësuar asgjë, ndërsa qeveria siriane njoftoi se ata ishin ndaluar nga “terroristët”, teksa kalonin në provincën e Hamas.

Nisur nga ky incident, drejtori i Përgjithshëm i OPCW, Ahmet Uzumcu, shprehu shqetësimin për sigurinë e inspektorëve në këtë vend, duke deklaruar se mirëqenia e tyre është prioritet kryesor, ndërsa i kërkoi të gjitha palëve në konflikt t’u garantojnë punonjësve të organizatës kalim të lirë e të sigurt.

Fillimisht dyshohej se 11 inspektorët ishin marrë peng në Siri, por raportimet e organizatës bëjnë të ditur se ata janë shëndoshë e mirë dhe janë kthyer në bazën e tyre. Mes tyre ishin 6 ekspertë armësh si dhe 5 shoferë.

Top Channel