Irani, negociatat e radhës më 16-20 Qershor

27/05/2014 00:00

Raundi i ardhshëm i bisedimeve, mes 6 fuqive botërore dhe Iranit, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor të Teheranit, do të mbahet në Vjenë muajin e ardhshëm, nga 16-20 Qershor, bëri të ditur Bashkimi Europian gjatë ditës së martë.

Shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, zhvilloi “bisedime tepër të gjata dhe të dobishme” me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, në Turqi gjatë së hënës dhe të martës, për rrugët mbi të cilat do të vazhdohen bisedimet, tha zëdhënësi i Ashton, Michael Mann.

“Ata shqyrtuan mundësi të ndryshme, si pjesë e një procesi në vazhdim. Raundi i ardhshëm formal i bisedimeve me Iranin do të mbahet nga 16-20 Qershori në Vjenë”, tha Mann, përmes një deklarate.

Ashton koordinon negociatat afatgjata me Iranin, në emër të 6 fuqive botërore; Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.

Të ashtuquajturit “P5+1” kërkojnë nga Irani që të pranojë pakësimin e pasurimit të uraniumit dhe aktiviteteve të tjera bërthamore me prirje shtimin e uraniumit, si dhe të pranojë inspektime më të ashpra nga OKB, për t’i pamundësuar këtij vendi aftësinë e prodhimit të bombave bërthamore, në këmbim të dhënies fund të sanksioneve ekonomike.

Ashton dhe Zarif rekomanduan mbajtjen e një takimi në nivel ekspertësh së shpejti, tha Mann, duke shtuar se edhe diskutime të tjera politike do të vazhdojnë, kur të jenë të nevojshme.

Teherani dhe 6 fuqitë botërore kanë bërë pak progres në raundin e fundit të bisedimeve, në fillim të këtij muaji në Vjenë, mbi dhënien fund të ngërçit afatgjatë me Iranin, duke shtuar dyshimet mbi mundësitë për një dakordësim deri në afatin përfundimtar të 20 Korrikut.

Irani tha të hënën se fuqitë botërore kanë “kërkuar tepër” nga negociatat, por gjithsesi pengesat mund të tejkalohen.

Top Channel