Ukrainë, Poroshenko shpall fitoren

26/05/2014 00:00

Me 56 deri në 58% të votave, të llogaritura si të fituara prej tij, kundrejt vetëm 13 përqind të siguruar nga rivalja Yulia Timoshenko, ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës Petro Poroshenko duket se do të jetë Presidenti i ri i vendit.

Vet 53-vjeçarja e pranoi humbjen në një fjalim të mbajtur mbrëmjen e së dielës.

“Më së pari dua të përgëzoj të gjithë Ukrainën, që, pavarësisht agresionit të jashtëm, pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit për t’i dëmtuar zgjedhjet, zhvilloi votime të ndershme e demokratike. Jam e bindur se vendi ka tani një rrugë të qartë përpara vetes, sepse nuk do të na duhet të zgjedhim mes Bashkimit Europian e Bashkimit Doganor; nuk do të na duhet të zgjedhim mes të shkuarës dhe të ardhmes”, tha Yulia Timoshenko, kandidate presidenciale.

Poroshenko vet shpalli fitoren, duke shtuar se prioriteti i tij kryesor do të jetë fundi i konfliktit në Lindje të Ukrainës dhe ndërtimi i marrëdhënieve më të ngushta me BE-në.

“Pa asnjë përjashtim, të gjitha ‘exit poll’-et, qoftë të realizuara nga kompani kombëtare, qoftë nga ato të huaja, tregojnë me dallime shumë të vogla, të njëjtën gjë: vendi ka një president të ri. Ne do të hedhim hapa të vendosur përpara, për të rikthyer stabilitetin e për t’i dhënë jetë elementëve kryesorë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian”, tha Petro Poroshenko, kandidat presidencial.

Vëzhguesit kritikuan zyrtarët e zgjedhjeve për radhët e gjata në disa qendra votimi, deri vonë mbrëmë, për të cilat faji iu vu masave të dobta organizative. Si pasojë e radhëve të tilla, u rrit koefiçienti i gabimit në llogaritje, por duket se kjo nuk do të ndikojë në rezultat.

Poroshenko falënderoi sidomos zgjedhësit që, për të hedhur votën e tyre, udhëtuan që nga Krimeja e kontrolluar nga rusët.

Pjesëmarrja në votime ishte e konsiderueshme në një pjesë të mirë të vendit, duke kapërcyer 50% në shumë zona. Por, në dy rajonet lindore, Donjeck dhe Luhansk, dhjetra qendra votimi nuk u hapën dhe të tjerat regjistruan pjesëmarrje të ulët.

Monitoruesit thonë se votuesit dhe punonjësit e zgjedhjeve u frikësuan prej separatistëve, megjithatë, përveç problemeve në Lindje, pjesa tjetër e vendit shënoi një proces përgjithësisht të rregullt e të qetë.

Top Channel