Siguria kibernetike bllokon një pjesë të faqeve në internet nga një alarm global, mund të prekë edhe shërbimet qeveritare
Trupat ukrainase kanë ndërmarrë një seri sulmesh ajrore për të rimarrë nën kontroll aeroportin e Donetskut nga rebelët pro-rusë.
Shkëmbime të dhunshme zjarri janë regjistruar dhe tym është parë të ngrihet nga zona ku ndodhet aeroporti.
Rebelët pro rusë bastisën aeroportin “Sergei Prokofiev” të Donetskut ditën e hënë, pasi u bë e qartë se biznesmeni Petro Poroshenko po shkonte drejt fitores në zgjedhjet e së dielës.
Avionë ushtarakë kanë qarkulluar përreth aeroportit, ndërsa helikopterët luftarakë kanë qëlluar raketa ndaj ndërtesës. Për momentin nuk ka raportime për viktima.
Qeveria e përkohshme e Ukrainës është e angazhuar në një ofensivë konkrete në lindje të vendit për të shtypur kryengritjet e rebelëve pro-rusë, që deri tani ka shkaktuar shumë viktima.
Nga ana e tyre, pro-rusët penguan me dhunë votimin në Donetsk një ditë më parë, duke bërë që asnjë qendër votimit të mos hapej në qytet dhe në mbarë rajonin.
Luftimet vijnë pasi fitorja e zotit Poroshenko është konfirmuar dhe ai pritet të marrë detyrën si presidenti i ri i Ukrainës. Ai ka shprehur gatishmërinë e tij për të biseduar me Rusinë për zgjidhjen e situatës.
Nga ana tjetër, edhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë se Moska është gjithashtu e gatshme për bisedime, por sulmet ndaj pro-rusëve në Ukrainë duhet të marrin fund.
Top Channel