Shqiptari fiton për Laburistët

25/05/2014 00:00

Avokati shqiptar me banim në Londër, Kastriot Beriberi, bëhet shqiptari i parë që fiton si këshilltar në zgjedhjet lokale të zhvilluara këtë javë, në Britani. Berberi ka konkurruar nën siglën e Partisë Laburiste, të opozitës, në lagjen “Waltham Forest” në verilindje të Londrës.

Kastriot Berberi, pas kryerjes së Universitetit për Drejtësi dhe kualifikimeve pasuniversitare për Drejtësi, Sociologji e Biznes në Londër, punon si jurist i specializuar në çështjet e emigracionit dhe ka studion e tij ligjore  “K. Berberi Law”, të themeluar prej tij në vitin 2009, në Londër, dhe të akredituar nga Shërbimi britanik i Emigracionit.

Kastriot Berberi njihet në radhët e komunitetit shiptar, si avokat i shumë shqiptarëve, kryesisht për çështjet e emigracionit. Në Tetor të vitit të kaluar, ai ka fituar edhe titullin “Qytetar i Lirë i Londrës”. Kastriot Berberi, i martuar me dy fëmijë, jeton në Britani që nga viti 1997.

Duke folur për Top Channel, Kastriot Berberi thotë se zgjedhja e tij do të thotë shumë. Sipas tij “nuk është përzgjedhur vetëm Kastriot Berberi, por një shtetas britaniko-shqiptar; pra një shqiptar” dhe e sheh atë “si integrim të shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet demokratike të Britanisë së Madhe”.

Kastriot Beriberi, i zgjedhur si këshilltar në verilindje të Londrës, konkurroi me 14 kandidatë të tjerë, në lagjen ku u zhvilluan Lojrat Olimpike, apo ku kanë lindur Hickoku apo David Beckham.

Frymëzimin politik, si anëtar i Partisë Laburiste, ndër të tjera ia dedikon edhe ish-kryeministrit britanik, mikut të madh të shqiptarëve, Tony Blair.

Top Channel