
Breshëri plumbash të qëlluar nga një makinë në lëvizje në qytetin kalifornian Santa Barbara kanë lënë shtatë persona të vdekur, ka njoftuar policia lokale.
Të shtënat janë verifikuar natën e së premtes, në lagjen Isla Vista, pranë Universitetit të Kalifornisë, ku dy të tretat e banorëve janë studentë. Shtatë persona të tjerë kanë mbetur ndërkohë të plagosur, ndërsa autori i masakrës është mes personave të vdekur.
Drejtuesit e universitetit por edhe ata të policisë lokale u kanë bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes dhe të qëndrojnë të mbyllur në banesat e tyre.
Sherifi i Kontesë së Santa Barbaras, Bill Brown deklaroi se të shtënat ndodhën në zona të ndryshme të lagjes Isla Vista dhe se atje ishin gjithësej nëntë skena krimi.
“Kemi marrë dhe po analizojmë pamjet e regjistruara nga kamerat, të cilat sugjerojnë se kjo masakër mizore ishte një vrasje në masë e paramenduar”, tha sherifi në një konferencë shtypi.
Ai iu tregoi mediave për një video të vendosur në YouTube, e titulluar “Hakmarrja e Elliot Rodger”, që tregonte një të ri të ankohej për vite të tëra refuzimi nga femrat.
Ndërkohë, dëshmitari Michael Vitek tha për televizionin CBS: “Ishte një “BMW” që po lëvizte dhe mua mu duk se në të ndodheshin dy persona. Njëri prej tyre po u qëllonte njerëzve. Mendoj se edhe një vajzë është vrarë”.
Top Channel