Putin: Ukraina, jo një “Luftë e Ftohtë”

24/05/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur gjatë së shtunës se nuk pret të krijohet ndonjë “Luftë e Ftohtë” e re për shkak të krizës në Ukrainë, duke mohuar se është përpjekur të rigjallërojë Bashkimin Sovjetik pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.

Në një intervistë për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, përfshi “Reuters”, Putin fajësoi Perëndimin për dhunën dhe destabilitetin politik në Ukrainë dhe tha se kishte shpresuar që Europa dhe SHBA-të të ishin të gatshëm për kompromis.

“Nuk do të pëlqeja të mendoja se ky është fillim i një Lufte të re të Ftohtë. Nuk është në interesin e askujt, ndaj mendoj se nuk do të ndodhë diçka e tillë”, tha Putin, i ulur në një tavolinë të stërmadhe me gazetarët e huaj, në një pallat jashtë ish-kryeqytetit të Perandorisë, Shën Pjetërburg.

Ai mohoi se ka planifikuar të formojë një bllok tregtar të udhëhequr nga Rusia, me dy republikat ish-sovjektike Kazakistanin dhe Bjellorusinë, gjë që nënkuptohej se kishte dashur të rindërtonte sa më shumë të mundej nga ish-perandoria sovjetike, e cila u shpërbë në vitin 1991.

“Ata janë përpjekur të vendosin këtë etiketim ndaj nesh, një etiketim se ne jemi duke u përpjekur të rikthejmë perandorinë, Bashkimin Sovjetik, duke nënshtruar këdo. Por, absolutisht, kjo nuk korrespondon me realitetin”, tha Putin. “Mund të jetë një armë lufte e medieve”.

Në lidhje me krizën e Ukrainës dhe sanksionet e SHBA-BE, Putin tha se është e pamundur që të izolohet një vend si puna e Rusisë, teksa sanksionet e vendosura nga Perëndimi kundrejt Moskës, për përfshirjen e saj në trazirat e Ukrainës, thjesht sa kanë çrregulluar ekonominë botërore.

Putin shtoi se sanksionet nuk mund të jenë produktive, qoftë për Rusinë ndaj të cilës janë vendosur, qoftë për të gjitha palët e tjera të përfshira. “Ata po përpiqen ta drejtojnë ekonominë ruse, europiane dhe globale drejt turbulencave, për të cilat nuk është i interesuar askush”, deklaroi presidenti rus.

Sa i përket mosmarrëveshjeve për çmimin e gazit, Putin tha se Ukraina nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë ulje çmimi për furnizimin me gaz natyror nga Moska, dhe se këto mosmarrëveshje duhen zgjidhur përmes dialogut dhe jo ultimatumeve.

“Jemi gati për dialog konstruktiv, por ai nuk mund të mbahet përmes kërkesave të pabazuara dhe ultimatumeve, por mbi bazat e bashkëpunimit të civilizuar të tregjeve”, tha Putin për gazetarët e huaj.

Duke kaluar në disa tema të nxehta të kohëve të fundit, presidenti Putin akuzoi Princin Charles të Britanisë së Madhe për një sjellje të papranueshme dhe aspak mbretërore, duke e krahasuar atë me Adolf Hitlerin.

Ai tha se nuk i kishte dëgjuar komentet e bëra nga Princi ndaj një gruaje hebreje, e cila ishte larguar nga Polonia gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u kërkoi reporterëve t’i kalonin një mesazh Charles-it dhe kryeministrit britanik, David Cameron.

“Nëse jeni të irrituar, kjo do të thotë se po bëni diçka gabim”, tha ai për agjencitë e huaja të lajmeve në konferencën e Shën Pjetërburgut. “Nuk e kam dëgjuar shprehjen e tij, por nëse është thënë diçka e tillë, atëherë është e papranueshme. Mendoj se edhe ai vet e ka kuptuar këtë. Ai është një person i rritur mes gjithë të mirave. E njoh mirë atë dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij mbretërore, personalisht. Kjo nuk është një sjellje mbretërore, por jam mësuar me shumë gjëra përgjatë viteve”.

Një koment të fundit, Putin e bëri edhe në lidhje me Japoninë dhe mosmarrëveshjet e lindur në Lindjen e Largët mbi disa ishuj të Paqësorit, të pretenduar nga më shumë se 1 shtet njëkohësisht.

Putin tha se Rusia është gati për bisedime me Japoninë, për problemet me ishujt, por ndoshta Japonia mund të mos jetë gati për negociata. Japonia vendosi ndalim udhëtimi për 23 shtetas rusë gjatë muajit të kaluar, duke ndjekur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian në zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë, për ndikimin e saj në krizën e Ukrainës.

“Jemi gati për bisedime, por a është gati Japonia? S’jam i sigurt për këtë”. Dy vendet në fjalë janë përfshirë në një grindje për ishujt në veri të Hokkaido-s, të njohura si Kurile në Rusi, ndërsa në Japoni u referohen si “territoret veriore”.

Putin tha se të dy vendet janë të interesuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por një zgjidhje mund të arrihet vetëm nga një “punë e madhe dhe e gjatë dypalëshe”.

Top Channel