Presidencialet, pasiguri në Ukrainë

24/05/2014 00:00

Në prag të zgjedhjeve presidenciale, në Ukrainë mbiztëron pasiguria. Krerët e separatistëve pro-rusë në lindje të vendit kanë urdhëruar një lloj mobilizimi të përgjithshëm.

Nga fusha e betejës ata madje kanë arritur suksese. Pak para votimit, forcat e Kievit kanë pësuar humbjet më të rënda që nga fillimi i ofensivës ushtarake shumëjavore kundër milicëve pro-Moskës.

Sipas shifrave zyrtare, gjatë dy sulmeve të rënda janë vrarë të paktën 17 ushtarë. Shumë viktima ka pasur gjatë sulmeve me granata dhe me mortaja në afërsi të Volnovaha Donbas. Në Luhansk, grupet paraushtarake kanë marrë nën kontrollin e tyre katër miniera qymyrguri.

Kryeministri Arseniy Yatsenyuk kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me argumentin se, “Rusia po nxit konfliktin dhe po përpiqet të sabotojë zgjedhjet e së dielës”.

Në parim, Kremlini e vë në pikëpyetje legjitimitetin e presidencialeve të 25 majit, por këmbëngul se nuk dëshiron që t’i ndikojë ato me praninë e trupave pranë kufirit.

Ndërkohë, NATO po vëzhgon një aktivitet të kufizuar të forcave ruse në kufi dhe e interpreton këtë si një tregues të mundshëm të tërheqjes së të paktën disa njësive.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e akuzoi ndërkohë Moskën se synon t’i refuzojë Ukrainës pavarësinë politike. Në një intervistë për gazetën “Saarbrücker Zeitung”, Merkel u shpreh se lidershipi rus po tregon me veprimet e veta se e ka të vështirë të pranojë se një vend sovran si Ukraina ndjek rrugën për të cilën ka vendosur vetë.

Vetë Putin u shpreh një ditë më parë se Rusia do ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve.

Top Channel