Siguria kibernetike bllokon një pjesë të faqeve në internet nga një alarm global, mund të prekë edhe shërbimet qeveritare Fidel Castro, hipokriti që jeton si miliarder. Është hequr gjithmonë si njeri i thjeshtë, si njeri i popullit, por një libër i ri hedh dritë mbi atë çfarë fshihet pas jetës, në dukje modeste, të ish-liderit kuban: një hedonist i llastuar, me pasuri ndoshta po aq të mëdha, sa ajo e Mbretëreshës Elisabetë.
“El commandate”, siç e thërrasin vendasit, ka një ishull përrallor të quajtur “Caya Piedra”. Kjo parajsë tropikale me ujra qelibar, plazhe me rërë të bardhë, barriera të paprekura koralore, e një bimësi të harlisur, ndodhet në bregun jugor të Kubës.
Fidelit i pëlqen ta lërë atje jahtin e tij luksoz, “Aquarama II”, të zbukuruar brenda me lëkurë ngjyrë kremi dhe dru të rrallë angolian.
Në dispozicion të shefit është një ushtri e tërë shërbëtorësh, të cilet janë gjithë kohën gati me verën e bardhë të ftohte dhe frutat e detit, për çdo moment që mund të kërkohen nga Castro dhe miqtë e tij, që lexojnë, bëjnë zhytje, apo tentojnë për kënaqësi të kapin peshq.
Ndër të ftuarit e shquar të liderit kuban në vite përmenden gjiganti kolumbian i letrave, Gabriel Garcia Marquez, dhe eksploruesi i famshëm nënujor francez, Jacques Cousteau.
Fidel Alejandro Castro mori pushtetin në Kubë 55 vjet më parë, me grusht shteti, dhe sot, në moshën 87-vjeçare, “ky revolucionar i popullit” është tërhequr nga skena politike, pasi ia kaloi drejtimin e vendit të vëllait, Raul Castro, në 2008-n.
Fideli shpenzoi dekada të tëra për të kultivuar imazhin publik të një njeriu të thjeshtë e pa pretendime, që të vetmin ves kishte puron, por që përveç kësaj ishte thjesht një shërbyes modest i popullit, i përkushtuar ndaj mirëqenies së 11 milionë banorëve të Kubës, të zhytur në mjerim.
Por, libri 338 faqesh me kujtime, i titulluar “Jeta e fshehtë e Fidel Castro”, i publikuar në Francë nga Michel Lafon e i shkruar nga ish-truproja e diktatorit, Juan Reinaldo Sanchez, tregon një Castro të errësuar nga dëshira për pushtet e parà, një tablo krejt tjetër nga ajo që ish-lideri kuban është munduar t’i paraqesë botës.
Top Channel