Siri, sulm ndaj tubimit politik, 11 të vrarë

23/05/2014 00:00

Goditje mortaje janë qëlluar ndaj një tubimi elektoral në mbështetje të presidentit Bashar al Assad në jug të Sirisë, duke vrarë të paktën 20 persona.

Lajmin e bëjnë të ditur media shtetërore dhe aktivistët. Sulmi ndodhi teksa mbështetësit e Assad ishin mbledhur në një tendë në qytetin Dera mbrëmjen e së enjtes.

Vetë presidenti nuk ndodhej atje në atë moment. Të paktën 30 persona kanë mbetur të plagosur, ka bërë të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Sirianët pritet të votojnë më 3 qershor, në një proces që po konsiderohet i turpshëm nga Perëndimi.

Presidenti do të përballet me dy sfidantë, por pritet që ai të sigurojë shumicën dërrmuese për të marrë mandatin e tretë shtatëvjeçar për drejtimin e vendit, pavarësisht luftës brutale civile që ka hyrë në vitin e tretë.

Sulmi i së enjtes ndodhi në lagjen Al Matar të Derasë, deklaroi Observatori, që bazohet në të dhënat e një grupi aktivistësh që ndodhen në terren. Raportohet se një fëmijë është mes 11 civilëve të vrarë nga sulmi.

“Sulmi është një mesazh i qartë i rebelëve ndaj regjimit, se nuk ka asnjë zonë të sigurtë për të zhvilluar zgjedhjet”, deklaroi drejtori i grupit, Rami Abdel Rahman për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Kjo është hera e parë që Siria do të mbajë zgjedhje presidenciale me shumë kandidatë. Zgjedhjet e mëhershme janë realizuar përmes një referendumi, vetëm për një nga anëtarët e familjes Assad në fletët e votimit.

Sidoqoftë, dy kandidatët e tjerë nuk janë shumë të njohur dhe nuk kanë pasur mundësi të organizojnë një fushatë si ajo e presidentit. 

Top Channel