Putin: Do respektojmë vullnetin e ukrainasve

23/05/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi gjatë së premtes për rrezikun e një lufte civile në Ukrainë, pas trazirave më të fundit të shpërthyera përpara zgjedhjeve të përgjithshme të fundjavës.

Putin, duke mbajtur fjalim përpara një forumi ekonomik në Shën Pjetërburg, tha se kaosi ishte rezultat i “grushtit të shtetit” në Ukrainë, që ndodhi “me mbështetjen e Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara”.

Ish-republikat sovjetike duhet të ruhen kundër një destabilizimi më të gjerë. Ai mbrojti gjithashtu aneksimin e kohëve të fundit të Krimesë nga Rusia, gjë që është dënuar si një veprim ilegal nga Kievi dhe Perëndimi.

Putin tha se Rusia ka siguruar “mundësinë për vullnetin e lirë të popullit”, i cili zgjodhi t’i bashkohej Rusisë përmes një referendumi demokratik në Mars.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur qeveria e përkohshme në Kiev përgatitet të zhvillojë zgjedhjet presidenciale të dielën, për të zgjedhur pasardhësin e presidentit të rrëzuar pro-Moskës, Viktor Yanukovych.

Putin tha se do të respektonte vullnetin e popullit ukrainas në votime, por ritheksoi vlerësimin e Rusisë që, sipas Kushtetutës së Ukrainës, Yanukovych mbetet ende presidenti legjitim i vendit.

Ai hodhi gjithashtu dyshime, nëse zgjedhjet duhen mbajtur apo jo tani, në një moment kur kemi të bëjmë me shfaqje të dhunshme në Ukrainën lindore.

Media shtetërore ruse citoi zv/ministrin e Jashtëm, Alexei Meshkov, të ketë thënë gjatë së premtes se Rusia do të vendosë, nëse do të njohë apo jo rezultatin e votimeve, vetëm pasi të jetë mbyllur procesi i votimit.

“Le të presim për zgjedhjet njëherë. Natyrisht, kur Rusia të marrë në konsideratë çështjen e legjitimitetit të tyre, do të duhet të llogarisë të gjitha faktorët”, është cituar të ketë thënë Meshkov nga agjencia e lajmeve “ITAR-Tass”.

Duke iu adresuar liderëve të biznesit, Putin tha se Rusia u përpoq të ndihmonte Ukrainën në momentet e vështira ekonomike. Por, siç tha ai, Ukraina duhet të shlyejë shumat e mëdha të papaguara ndaj gjigantit rus të energjisë, Gazprom, për furnizimet me gaz natyror.

Top Channel