“Komisioni i posaçëm për reformën territoriale vendosi variantin 39/47 të hartës”. Me këtë vendim të anunçuar nga deputeti i PS, Bashkim Fino është mbyllur kjo fazë e punës për hartimin e reformës territoriale.
Ndarja e vendit në 39 bashki ka qenë varianti i votuar në komisionin e posaçëm parlamentar, por do të përpunohet me elementë nga varianti tre, që e ndante vendin në 47 bashki për të eleminuar krijimin e supernjësive të pushtetit vendor. Bie në sy ndarja e Kamzës nga Tirana si bashki më vete dhe e Himarës nga Vlora, po ashtu si bashki më vete.
“Bashkia e re sipas variantit 39 e ka të vështirë një menaxhim real. E mbështes variantin 39, por për të shkuar aty ku të jetë mundësia për të eleminuar superbashkinë e re të pushtetit vendor”, deklaroi deputeti i PS, Blendi Klosi.
Miratimi i këtij varianti, që mori një ditë më parë edhe pëlqimin e grupit parlamentar socialist, pati si argumentin më të fortë pro, faktin që ai ruan më shumë se çdo variant tjetër ndarjen e dikurshme të rretheve.
Ndërsa bashkëkryetari i komisionit, Fino pati në vëmendje të bëjë të qartë për të gjitha komunat, të cilat reforma i eleminon duke i bashkuar këto njësi me bashkitë.
“Komunat ekzistuese do jenë po ato dhe atje do ketë shërbime të rëndësishme për komunitetin. Një kryetar bashkie që përfshin disa komuna do të ketë të dërguarin e vetë në to”, deklaroi Fino.
Mbërritja në këtë fazë e reformës së konsideruar historike nga mazhoranca, nuk kaloi gjithësesi pa momente keqardhjeje, së pari sepse reforma nuk përfshin qarqet, pasi kërkon ndryshim kushtetues dhe rrjedhimisht bashkëpunimin e opozitës.
“Do të ishte më mirë të kishim një reformë dhe një variant më të thellë, por edhe për t’i hapur një dritare opozitës, për të marrë pjesë në një vendim historik”, shtoi Klosi.
Varianti i miratuar nga komisioni do të konsultohet me qytetarët për dy muaj dhe në fund të korrikut do të votohet si projektligj në Parlament.
Top Channel