Bogdani: Protesta deri në largimin e Kryeministrit

22/05/2014 00:00

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte deputeti i partisë demokratike, Gerti Bogdani, i cili ka folur për protestën e parashikuar të zhvillohet gjatë ditës së premte nga opozita, si edhe për akuzat e ngritura ndaj Kryeministrit Rama.

Bogdani e ka parashikuar një protestë të madhe atë të së premtes, pasi sipas ti çështja e kartelit të drogës i ka vënë vulën keqqeverisjes në këto 8 muaj.

Pandi Gjata: Me grevën e urisë, duket se ka nisur edhe aksioni i opozitës që i paraprinë protestës së të premtes apo jo?

Gerti Bogdani: Opozita është në mbështetje të larguarve nga puna. Ka pasur probleme me Policinë e Shtetit, ka pasur dhunime dhe sekuestrim të tendës për disa orë. Ka pasur një kërkesë zyrtare dhe një leje të dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe një njoftim për policinë, për të drejtën e tyre për të protestuar në lidhje me largimet nga administrata publike dhe mos respektimin e vendimeve të gjykatave nga ana e qeverisë.

Pandi Gjata: Ka diçka të përbashkët mes grevës dhe protestës? Do të ketë një strategji ndryshe të premten?

Gerti Bogdani:
Protesta e javës së kaluar ishte një hap i parë i protestës së ditës së premte. Protesta e ditës së premte do të jetë shumë e madhe sepse çështja e kartelit të drogës i vë vulën 8 muajve të keq qeverisjes nga kjo qeveri.

Pandi Gjata: Kur flisni për një strategji ndryshe, do të qëndrohet më gjatë para Kryeministrisë apo Parlamentit?

Gerti Bogdani: Jo sepse qëndrimi i së enjtes së kaluara para Parlamentit ishte për aq kohë sa zgjaste seanca.

Pandi Gjata: Që para se të organizohej protesta e javës së kaluar ka patur komente nga më të shumtat dhe mes pyetjeve të ngritura ishte, a ka një kauzë opozita për të organizuar një protestë?

Gerti Bogdani: Mendoj që kauza ekziston në mënyrë të pa diskutueshme. Që në momentin e parë që opozita ngriti zërin për avion që ulen në vende të ndryshme të Shqipërisë reagimi i parë nga Kryeministri ishte që janë mushkonja dhe avionë dezinfektimi. Pati një përpjekje për ta bërë të gjithë situatën qesharake, nuk kishte një reagim normal të Kryeministrit të vendit që të njihej me problemin.

Pandi Gjata: Ju keni vetëm rastin e avionit të Divjakës apo keni edhe raste të tjera dhe nëse po, pse nuk i keni çuar në Prokurori?

Gerti Bogdani: Ne kemi kërkuar që të ketë një komision hetimor për këtë çështje dhe në momentin që Prokuroria të nis hetimet ne do të çojmë faktet. Avioni i opozitës është një fakt i dhënë nga rrethanat, nga ironia e fatit do të thoja unë. Me këtë rast u vërtetua një akuzë e opozitës shqiptare. Edhe në këtë rast, po ashtu si edhe me armët kimike, Kryeministri nuk ndodhej në vend, por për shoping, e tregojnë edhe fotot në rrjetet sociale. Për këtë rast Kryeministri nuk mori përgjegjësi, por foli për një super aksion të policisë.  

Pandi Gjata: Çfarë kuptoni me fjalën përgjegjësi?

Gerti Bogdani: Të njihte problemin që në momentin që opozita e ngriti çështjen dhe të merrte masat e duhura për ta hetuar si çështje. Shkarkimi i Ministrit të Brendshëm do të ishte mëse e natyrshme. Nëse do të ishin marrë këto përgjegjësi nuk do të kishte këto protesta.  

Pandi Gjata: A ka një kontradiktë që ju kërkoni largimin e Kryeministrit Rama dhe jo zgjedhje të parakohshme?

Gerti Bogdani:
Jo sepse PD nuk kërkoi maksimumin që do të ishin zgjedhje të parakohshme.

Pandi Gjata: Pse nuk jeni gati?

Gerti Bogdani: Kjo është një çështje që i takon Kryeministrit, PD e ka bërë paqen e saj me votat e qeveritarëve shqiptarë. Ky mandat është për t’u bërë, por ky Kryeministër nuk e meriton të mbarojë mandatin.

Pandi Gjata: Po në Parlament do të vazhdojë një marrëdhënie e kushtëzuar? Sot do të merrni pjesë në seancë?


Gerti Bogdani:
Do të marrim pjesë pasi diskutohet kërkesa e opozitës për të ngritur një komision hetimor për çështjen e avionit të Divjakës dhe trafikun me avion.

Pandi Gjata: Nëse nuk do të diskutohej kjo çështje atëherë nuk do të merrnit pjesë?

Gerti Bogdani: Në Parlament marrim pjesë për të gjitha ato çështje që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë , por marrëdhënia me Parlamentin vazhdon të jetë e kushtëzuar për sa kohë ai ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën Shqipërisë, duke i marr kompetancat Presidentit, shkaku i kësaj ka qenë shkarkimi i zonjës Xhuka nga ILDKP.

Pandi Gjata: Protestat do të vazhdojnë edhe pas së premtes, cila është strategjia?

Gerti Bogdani:
Kjo është diçka që ende është duke u diskutuar dhe qytetarët shqiptarë do të njihen në vijim, por për sa kohë Rama nuk largohet protestat do të vazhdojnë.

Pandi Gjata: Jemi në prag të marrjes së statusit në muajin qershor, mos po e prishim imazhin para ndërkombëtarëve?

Gerti Bogdani:
Dëmtimin e imazhit të Shqipërisë nuk po e bënë opozita, por e bëjnë avionët që transportojnë drogë. Po të marrim statistikat vetëm të fillim vitit të vitit 2014 kemi mbi 6 ton drogë të kapura.

Pandi Gjata: Por shumica e kësaj droge është prodhuar në kohën kur ka qeverisur PD-ja.

Gerti Bogdani: Nuk është pikëpyetja kush e bëri, por është shteti që duhet ta ndalojë. Droga ka 23 vjet që prodhohet dhe transportohet. Sot shteti është pjesë e kësaj, sa do i guximshëm të ishte një person, nëse nuk do të kishte krah të ngrohtë nga qeveria, nuk do të tentonte të ulej me avion në një plazh publik në mes të ditës.

Top Channel