Shqipëria, mes 39 dhe 47 bashkive

21/05/2014 00:00

Varianti përfundimtar i Reformës Territoriale do të zgjidhet mes dy hartave, asaj që parashikon ndarjen e vendit në 39 bashki dhe asaj që e ndan vendin në 47 të tilla.

Në një mbledhje të gjatë me dyer të mbyllura, Komisioni i Reformës Territoriale dhe ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, në prani të kryeministrit Edi Rama, kanë informuar deputetët e Grupit parlamentar socialist dhe atij të LSI, mbi 5 variantet e propozuara.

Pas prezantimit, diskutimet kanë ndalur në dy variantet e konsideruara të qendrës, variantit 2 dhe 3 të hartës territoriale.

Burime nga mbledhja bënë me dije për Top Channel, se deputetët socialistë Pandeli Majko dhe Blendi Klosi propozuan që varianti final i hartës, që do të miratohet në komision, të ketë për bazë ndarjen me 39 bashki, por të huazojë elemente nga varianti i tretë me 47 bashki.

Kjo do të thotë që, për njësi të mëdha si Tirana, Vlora, Elbasani apo Korça, të ruhet ndarja që parashikon varianti i tretë; pra respektivisht Kamza bashki më vete, Himara gjithashtu, si dhe Cerriku e Maliqi.

Rrjedhimisht pritet që varianti përfundimtar të ketë një numër bashkish nga 39 në 47, që varësisht nga elementët që do të merren nga harta tre, mund të parashikojë një ndarje të vendit në rreth 44-45 bashki.

Gjithësesi, vendimi për variantin përfundimtar të ndarjes së territorit të vendit do të merret të premten nga Komisioni i Reformës Territoriale, i cili do të konsultohet më tej edhe me qytetarët.

Top Channel