PD mobilizon qytetarët për protestën

21/05/2014 00:00

Deri të premten, kur do të mbahet para Kryeministrisë protesta e paralajmëruar e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Luzim Basha po bën të gjitha përpjekjet për mobilizimin e qytetarëve për një pjesëmarrje sa më masive.

Këtë objektiv demokratët e kanë bërë publik që në fillim dhe nga Lushnja dhe Elbasani, kreu i opozitës ishte në Lezhë, qarku i vetëm ku Partia Demokratike mori më shumë deputetë se Partia Socialiste.

Duke bërë përgjegjës kryeministrin Rama për atë që e quan kontroll të pushtetit nga karteli i drogës, zoti Basha ironizoi edhe qëndrimin e Partisë Socialiste në pushtet për protestën e paralajmëruar nga opozita.

“Më përpara, kur ishte në opozitë fajin për gjithçka e kishte qeveria. Tani që është në qeveri, fajin për gjithçka e ka opozita. Sado që përpëliten ditë pas dite, e shikoni që po bëjnë nga katër konferenca për shtyp dhe lexojnë të njëjtën letër që ua kanë shkruar.

I ka zënë frika. Pse i ka zënë frika? Sepse e dinë se përballë kanë jo vetëm PD, sepse axhenda jonë për t’u ngritur në këmbë dhe për të shporrur kartelin e drogës është axhenda e çdo shqiptari.

Të premten, të bashkuar si asnjëherë më parë, në orën 11.00 t’i tregojmë shqiptarëve vendosmërinë tonë. Të jemi të gjithë së bashku në këmbë për t’i thënë jo drogës dhe për t’i thënë përgjegjësit Edi Rama ‘ik largohu’”, deklaroi Basha.

Top Channel