Biden në Rumani, angazhohet për mbështetje

20/05/2014 00:00

Zv/presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbërritur në Bukuresht gjatë së martës, si pjesë e fushatës së Uashingtonit për të siguruar aleatët e Lindjes për mbështetjen e amerikanëve, sa i përket konfrontimit të Perëndimit me Rusinë mbi krizën në Ukrainë.

Edhe pse një ish-shtet komunist në Detin e Zi, Rumania iu bashkua NATO-s një dekadë më parë, si dhe Bashkimit Europian në vitin 2007. Ajo ka qenë mes vendeve avokate më të fuqishme të sanksioneve të Perëndimit ndaj Moskës, pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina.

“Mund të mbështeteni te ne, pasi ne bëjmë atë që themi”, tha Biden në një mbledhje të trupave amerikanë e rumunë, pasi zhveshi xhaketën e tij lëkurë ngjyrë kafe, në një bazë ushtarake ajrore pranë Bukureshtit, ku po zhvillohen stërvitje të përbashkëta “për krijimin e kapaciteteve”.

Zyra e Biden në Shtëpinë e Bardhë kishte deklaruar më parë se ai do të theksonte edhe njëherë “angazhimin e patundur të Uashingtonit” për mbrojtjen kolektive të NATO-s bazuar mbi Artikullin 5, si dhe do të shprehë vlerësimin për kontributet e Rumanisë në sigurinë rajonale dhe globale”.
 
Gjatë fjalimit të tij brenda një hangari të ndriçuar, i rrethuar nga avionë luftarakë rumunë, Biden tha: “Agresioni ndaj Krimesë na kujton neve se përse nevojitet NATO. Kufijtë e Europës nuk mund të ndryshohen më me të shkrepurën e armëve… Kjo është arsyeja, përse ne vazhdojmë të dënojmë pushtimin e Krimesë nga Rusia”.

Rumania, një vend fqinj me Ukrainën, ka bërë të ditur se NATO duhet të ripozicionojë burimet e saj pas manovrave të Moskës. Rumania është veçanërisht e kujdesshme pasi Moldavia, një shtet i vogël kufitar me Rumaninë me një minoritet rusisht-folësish, mund të jetë në fokusin e radhës të Moskës, duke parë rrezikun e trazirave të separatistëve që kanë lindur së fundi atje.

Biden pritet të zhvillojë bisedime me presidentin Traian Basesku, si dhe kryeministrin Victor Ponta, gjatë së mërkurës, si dhe të adresojë nevojën për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike, të riangazhohen për forcimin e institucioneve demokratike dhe të ndërmerren përpjekjet e nevojshme për të forcuar sigurinë energjitike të Europës.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe mbështetja e këtyre të fundit për separatistët në Lindje dhe Jug të Ukrainës, kanë nxitur ndërmarrjen e sanksioneve ekonomike nga SHBA-të dhe BE ndaj Moskës.

Që prej përplasjeve mes Rusisë dhe Perëndimit, më të ashprat pas Luftës së Ftohtë, Rumania ka marrë pjesë në manovrat detare në Detin e Zi, si dhe ka zhvilluar stërvitje ushtarake me trupat amerikanë.

Udhëtimi i Biden, nga e marta në të premte, që do të përmbyllet me një ndalesë në Qipro, është pjesë e një fushate për të theksuar solidaritetin e SHBA-ve me aleatët, gjatë krizës së Ukrainës, që ka përfshirë gjithashtu edhe ndalesat në Kiev, shtetet Baltike dhe Poloni.

Top Channel