
Arabia Saudite vendosi të mbyllë Ambasadën në Tripoli të Libisë, duke cituar për këtë lëvizje të saj arsyet e sigurisë, e të njëjtën gjë bëri dhe Algjeria, me argumentin se diplomatët e huaj në këtë vend ndihen të rrezikuar.
Pavarësisht përleshjeve të ashpra këtë fundjavë, apo marrjen e ndërtesës së Parlamentit nga grupet paraushtarake, qeveria libiane këmbëngul se vazhdon ta ketë nën kontroll situatën. Të tilla pohime nuk mjaftojnë, megjithatë, për të krijuar bindjen se vendi nuk po rrëshket në kaos.
Që nga përmbysja e Muamar Gadafit në 2011-n, liderët e rinj të Libisë janë përpjekur shumë të sjellin stabilitet, por pa shumë sukses.
Të dielën, forca të armatosura të komanduara nga ish-gjenerali Khalifa Haftar hynë me forcë në godinën e parlamentit në kryeqytet, duke qëlluar me armë zjarri e duke plaçkitur zyrat e ligjvënësve. Tym i dendur dilte nga ndërtesa dhe, sipas njoftimeve të pakonfirmuara, dy vetë humbën jetën dhe 50 të tjerë u plagosën nga dhuna.
Episodi u cilësua si “grusht shteti” kundër qeverisë legjitime të vendit. Përkrahësit e Gjeneralit Haftar, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, deklaruan se sulmi kishte për qëllim bllokimin e krijimit të një ekzekutivi të ri nën drejtimin e biznesmenit Ahmed Maitik.
Emërimi i Maitik si kryeministër, dy javë më parë, u kundërshtua nga një grup ligjvënësish, që pretendojnë se votimi u zhvillua pa kuorum. Kryeministri pro-perëndimor i Libisë, Ali Zeidan, u shkarkua përmes një vote mosbesimi në fillim të muajit që shkoi.
Në Benghazi, në fundjavë, trupat e Hafterit iu kundërvunë Ansar al Sharia dhe grupimeve të tjera ekstremiste islamiste, e sipas raporteve në media, nga shkëmbizjarri pati 80 të vdekur.
Top Channel