
Kremlini njoftoi gjatë së hënës se Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar forcat ruse pranë kufirit me Ukrainën të kthehen në bazat e tyre, por NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk kanë parë asnjë shenjë tërheqjeje, teksa Moska ka dështuar të mbajë një premtim të tillë edhe në të kaluarën.
Moska ka dërguar dhjetra mijëra trupa ushtarakë pranë kufirit me Ukrainën, veçanërisht në rajonet kufitare ku separatistët pro-rusë kanë deklaruar shtetet e pavarura, ndërkohë që Kievi dhe aleatët e saj të Perëndimit i frikësohen një invazioni të tyre në mbështetje të rebelëve.
Ukraina do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale të dielën, të cilat shtetet perëndimore i konsiderojnë si një zhvillim deciziv në zgjidhjen e krizës së vendit. Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë kërcënuar se do të përshkallëzojnë sanksionet ndaj Moskës, nëse ajo ndërhyn në votime.
Rojet kufitare të Ukrainës thanë se ka pasur me të vërtet një ulje të aktivitetit ushtarak rus pranë kufirit, por Shtetet e Bashkuara dhe aleanca ushtarake Perëndimore tha se nuk kanë asnjë të dhënë që trupat janë tërhequr.
“Për fat të keq, më duhet të them se ne nuk kemi parë ende prova të besueshme, se rusët kanë nisur tërheqjen e trupave nga kufiri me Ukrainën”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjeneral Anders Fogh Rasmussen, në një konferencë për shtyp në Bruksel. “Nuk kemi parë asnjë shenjë të lëvizjeve”, tha gjithashtu edhe zëdhënësi i Pentagonit, nën-Admiral John Kirby, për “Reuters”.
Putin deklaroi të drejtën për të dërguar forca në Ukrainë, për të mbrojtur rusisht-folësit nëse do të jetë e nevojshme, në Mars, si dhe aneksoi me shpejtësi rajonin ukrainas të Krimesë, pasi presidenti pro-rus në Kiev, Viktor Yanukovych, u rrëzua nga pushteti pas protestave në rrugët e kryeqytetit, në Shkurt.
Rebelë të armatosur, shumë prej të cilëve të udhëhequr nga entuziastët moskovitë të betejave historike ligjore, kanë pushtuar qytete dhe fshatra në lindje të Ukrainës dhe kanë zhvilluar edhe një referendum për pavarësi, të cilën Perëndimi e konsideron si një gjë e pavërtet.
NATO dhe SHBA thanë se premtimet e mëparshme të rusëve për tërheqje të trupave, përfshi edhe një njoftim të vet Putin më 7 Maj se trupat ishin tërhequr, kanë prodhuar asgjë domethënëse.
“Tashmë mendoj se kjo është deklarata e tretë e Putin për tërheqjen e trupave ruse, por deri më tani sërish nuk kemi parë asnjë lëvizje të konfirmuar në terren”, tha Rasmussen të hënën. “Më vjen me të vërtet shumë keq, sepse tërheqja e trupave ruse do të ishte një hap tepër i rëndësishëm kontribues në uljen e tensioneve”.
Si shenjë e tensioneve të vazhdueshme, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe NATO-n kanë nevojë për një “rishikim substancial”, pas diferencave të theksuara mbi Ukrainën.
Kremlini tha sërish se Putin ka urdhëruar tërheqjen e trupave në 3 provinca, Rostov, Bryansk dhe Belgorod, të cilat janë në kufi me Ukrainën, në bazat e tyre të përhershme. Megjithatë, ai nuk theksoi se sa ushtarë do të largoheshin nga rajonet kufitare.
Top Channel