Adresa të përgjithshme, por më së shumti të pasakta, pasi më shumë u referohen objekteve apo ngjyrave të pallateve se sa emrave dhe numrave, janë kthyer në një problem shqetësues për gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës.

Sa herë duhet të thërrasin dëshmitarët për llogari të proceseve në shqyrtim, gjetja e tyre u kthehet në një mision të vështirë. Në këtë mënyrë seancat gjyqësore zvarriten derisa policia mundëson gjetjen e dëshmitarëve, që në rastin më flagrant nuk gjenden asnjëherë sic është precedenti i gjyqit ndaj ish-komandantit të gardës, Xhavit Xhaferri ku mbi 20 dëshmitarëve nuk iu gjetën adresat e banimit, pavarësisht se për këtë u kërkua ndihma edhe e Ministrisë së Brendshme edhe e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve.

Për zëdhënesen e Gjykatës së Tiranës, Jorida Elmazi e njëjta situatë paraqitet edhe për të pandehurit nën gjykim në gjendje të lirë.

“Adresat që ne duhet të kemi për njoftimin e tyre ndodhen në proceverbalet e sjella nga Policia Gjyqësore gjatë hetimit paraprak. Në momentin që nuk  bëhet i mundur në këto adresa të dhëna, atëherë ne vëmë në dijeni Policinë e Shtetit për të marrë të dhëna më të sakta dhe për të kryer njoftimin e dëshmitarëve. Nëse ata nuk sjellin këto të dhëna apo nuk shoqërojnë dëshmitarët, sjell zbarritjen e proceseve gjyqësore ose dështim të procesit. Një shkak tjetër është edhe për të pandehurin, kur ai është i lirë ose në mungesë dhe bëhet zvarritja e proceseve gjyqësore sepse nuk bëhet i mundur njoftimi i tyre”, thotë zëdhënësja e Gjykatës së Tiranës, Jorida Elmazi.

Cështja e mungesës së një sistemi të saktë adresash që pengon thirrjen e rregullt të pjesëmarrësve në gjykim është ngritur më herët nga prezenca e OSBE-së, pas një raporti në gjykatat e rretheve për cështjet civile.

Në raport thuhet se ftuesit e gjykatës informojnë se 60 përqind e adresave janë të pasakta, ndërsa edhe kur jepet një adresë e plotë,  në Tiranë ftuesit kanë vështirësi në gjetjen e saj pasi shumë ndërtesave u janë caktuar adresa të reja, cka shkakton vështirësi në procesin e njoftimit duke sjellë kështu zvarritje të njëpasnjëshme të proceseve.

Top Channel