Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka filluar procesin e hetimit administrativ për gjyqtarin dhe anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni.

Me anë të një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të internetit, ILDKP thotë se ka mospërputhje të të dhënave të deklaruara nga gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi, të cilët së bashku me shtetasin Adrian Kondi dhe noteren Xhevahire Brahaj janë kallëzuar penalisht edhe nga QKR një ditë më parë.

Sipas ILDKP-së ka mospërputhje në dokumentacionin e paraqitur nga gjyqtari Gjoni për disa aktivitete biznesi dhe përgjigjeve të ardhura nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe dyshohet se ky dokumentacion është falsifikuar.

“ILDKPKI, pas verifikimeve të kryera konstatoi mospërputhje midis dokumentacionit të paraqitur nga subjekti Gjin Gjoni në datë 12.05.2014 dhe përgjigjeve të ardhura nga QKR në datë 02.05.2014, të administruara në dosje. Po kështu nga kqyrja e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti  u konstatuan  shkelje ligjore”, thotë ILDKP.

Dyshohet gjithashtu se Gjin Gjon ka ushtruar detyrën e Gjyqtarit të Apelit dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në kohën që ishte aksioner aktiv në bizneset e regjistruara të familjes në mënyrë krejtësisht të paligjshme dhe në konflikt interesi.

“Këto mospërputhje dhe shkelje ligjore të konstatuara krijuan dyshimin e arsyeshëm se kemi të bëjmë me dokumenta të falsifikuara të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni, me qëllimin e vetëm shmangjen nga përgjegjësia e rëndë ligjore që ka në ushtrimin e funksionit të Gjyqtarit të Apelit dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet organike si dhe duke vazhduar ushtrimin e këtyre  funksioneve në konflikt interesi, duke zotëruar aksione në mënyre aktive prej vitit 2010”, thuhet në deklaratë.

Sipas ILDKP veprimet e kryera nga gjyqtari Gjoni janë shumë të rënda sepse kryhen sic thuhet në njoftim nga një zyrtar i lartë i drejtësisë, janë edhe më të rënda nëse merret parasysh tentativa për falsifikim dhe ndërhyrje të paligjshme në sistemin e të dhënave të QKR-së, institucion që ka bërë kallëzim penal për gjyqtarin Gjoni, bashkëshorten e tij dhe 3 bashkëpunëtorët, mes të cilëve 2 noterë.

Ndërkohë të mërkurën, Prokuroria e Elbasanit, që mori nën hetim çështjen e Gjykatësit të Apelit të Tiranës dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni i kërkoi gjykatës pezullimin e tij nga detyra.

ILDKPKI me anë të hetimit administrativ kërkon:

1 – Rikonfirmimin ose jo të përgjigjes së datës 02.05.2014 dërguar ILDKPKI-së, në lidhje me shoqëritë tregtare të regjistruara në emër të shtetasve Gjin Gjon Gjoni dhe Elona Shpëtim Çaushi.

2- Ndodhen apo jo të administruara në institucionin e QKR-së, dokumentat e paraqitura nga subjekti Gjin Gjoni në ILDKPKI, në dt. 12.5.2014,

3- Nëse këto dokumenta nuk janë të administruara pranë QKR-së, përse mbajnë vulën e këtij  institucioni.

4- Vënia në dispozicion e specifikimeve të vulës zyrtare që ka disponuar ky  institucion për periudhën 2010-2014.

Shoqëritë e përfshira në hetim:

Shoqëria “ Bio Gourmet” shpk
Shoqëria  “Best Buy Drug Store”
Shoqëria “Albcos”shpk
Shoqëria “Albania Duty Free Distribution” shpk
Shoqëria “Prestige” shpk
Shoqëria “Vintage Second Hand & New” shpk

Top Channel