Nismë ndërkombëtare për shëndetin

14/05/2014 00:00

Një nismë ndërkombëtare e shoqërisë civile pjesë e të cilës është bërë edhe Shqipëria, synon të ndikojë tek qeveritë për të rritur vëmendjen e kujdesit të shërbimeve shëndetësore në atë që është quajtur “cilësia e shërbimit seksual” dhe që synon më shumë vëmendje për kategoritë e varfëra të shoqërisë.

“Të rritet aksesi i varfërve  ndaj shërbimeve seksuale  dhe  riprodhuese njëlloj me të pasurit , të ulet vdekshmëria  amëtare, të konsiderohet  shëndeti seksual  dhe riprodhues si objektiv parësor i zhvillimit”.

Kjo është kartolina me 10 prioritete në shëndetin riprodhues që në emër të Federatës  Ndërkombëtare planifikimit familjar u dërgohet qeverive të shumë vendeve dhe asaj shqiptare për t’i dhënë prioritet zgjidhjes së problemeve që lidhen me shëndetin riprodhues, eleminimin e diskriminmit të grave dhe vajzave edukimit të të rinjëve etj. Shqipëria ndonëse është një vend me prevalencë të ulët të Hiv/Aids ka një numër të lartë të fëmijëve  që lindin të infektuar nga nëna, për shkak të mosfunksionimit të programeve parandaluese.

“Vitin e kaluar Shqipëria ka patur numrin më të madh të rasteve të diagnostikuara. Vetëm në vitin e kaluar ishin gjashtë raste, që do të thotë që tek ne akoma nuk funksionon programi i parandalimit të transmetimit vertikal nga nëna tek fëmija i Hiv-it. Një test i thjeshtë për Hiv gjatë shtatëzënisë do të parandalojë që të kemi pasardhës të infektuar në të ardhmen”, thotë Olimbi Hoxhaj nga Shoqata e Pacientëve me Hiv/Aids.

Në Shqipëri ekzistojnë ligje dhe strategji të mira që mbrojnë shëndetin e nënës dhe foshnjes, por në fakt ende raportohet për vdekshmëri të lartë foshnjore, pasi ato nuk zbatohen në praktikë ose bëhen strategji dhe nuk shoqërohen me një buxhet për t’i zbatuar.

“Ligjet që mbrojnë shëndetin e nënës dhe të fëmijës kemi edhe në Kushtetutë, por përsëri kemi probleme në këtë drejtim sepse vdekshmëria foshnjore në Shqipëri mbetet akoma e lartë. Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë ka mangësi. Akoma nuk është përcaktuar se si do të jetë ky shërbim në sektorin privat apo ofrimi i këtyre shërbimeve në abortin me tableta, pasi në mënyrë ilegale realizohet, por kjo mund të sjellë pasoja të rrezikshme”, deklaroi Lida Grabova nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.

Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin si dhe organizata të tjera të shoqërisë civile i bashkohen fushatës “Vizion 2020 – Unë vendos” për t’i bërë thirrje aktorëve  politikë dhe qeverisë  që të përfshijnë shëndetin seksual e riprodhues  dhe të drejtat e barazisë gjinore në qendër të programeve të tyre.

Nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu kërkoi bashkëpunim me ta për të bërë të mundur përmirësimin e ligjeve.

Top Channel