FMN: S’ka skenar grek për Shqipërinë

14/05/2014 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë për herë të parë publik qëndrimin mbi një çështje, që ka qenë ndoshta tema më e nxehtë e përplasjes politike mbi ekonominë. Atë nëse a po shkon Shqipëria drejt skenarit Papandreu?

“Kemi degjuar shumë për një skenar grek në Shqipëri. Unë mendoj se duhet të jesh i kujdesshëm kur krahason dy vendet dhe meqë ra fjala edhe ekonomia greke tani po del nga kriza. Por t’i kthehemi pyetjes. Ka diferenca të mëdha. Zhbalancimet e Greqisë ishin shumë më të mëdha se këto të ekonomisë tuaj. Ju keni një borxh shumë më të ulet se sa ishte ai i Greqisë dhe për rrjedhojë edhe konsolidimi fiskal që nevojitet është shumë më i vogël. Dhe mos harrojmë që ekonomia shqiptare ka potencial të madh për t’u ringritur. Ka një treg pune shumë fleksibël, me çmim të ulët, ka një sektor publik të vogël dhe nuk ka kufizimet që kishte ekonomia greke”, deklaron shefi i misionit, Nadeem Ilahi.

Madje, sipas FMN, sinjalet tregojnë se ringritja e ekonomisë ka filluar sakaq. Ilahi thotë se kjo dëshmohet nga një sërë treguesish.

“Shohim shenja të mira në performancën e të ardhurave. Veçanërisht tek TVSH-ja. A do jetë kjo e qëndrueshme për gjithë vitin, herët ta thuash. Por shenjat po na tregojnë, veçanërisht kur TVSH-ja performon mirë, se ekonomia po merr kthesën. Ky është ndoshta fillimi i një trendi pozitiv. Kemi përmirësim në tregti, si tek importet ashtu dhe eksportet. Po kështu, disa sektorë si tekstilet po gjallërohen. Pra, faktori i jashtëm i ekonomisë po përmirësohet, por edhe besimi i brendshëm konsumator dhe ai i investitorëve po ashtu, për shkak të reformave për klimën e biznesit”, nënvizon Ilahi.

Fondi vlerëson gjithashtu se ekonomia do të rritet me 2.1 për qind këtë vit nga 0.44 vitin e kaluar. Por sërish borxhi mbetet shqetësim dhe FMN kërkon të tjera ndërhyrje tek taksat në buxhetin e ardhshëm.

“Për këtë vit nuk shohim nevojë për masa shtese. Por, siç e dini, ne kemi një program trevjeçar me qeverinë, i cili parashikon tre raunde konsolidimi fiskal. Pra, vitin tjetër duhet një buxhet që e mban parasysh këtë. Ne kemi diksutuar me qeverinë se në çfarë taksash mund të ndërhyhet vjet në shtator, kur u hartua buxheti i 2014-s. Në atë kohë i vendosëm në tavolinë një numër të madh masash, nga të cilat ajo duhet të vendosë se kë do të zgjedhë. Ajo menu është ende aty. Pra, qëndrimi ynë për qeverinë është se ka nevojë për konsolidim fiskal. Vendosni ju se si do ta arrini këtë”, thotë Ilahi.

Këtë vit taksat për qytetarët dhe biznesin u rritën në total me 200 milionë dollarë. Por sa mendon FMN se duhet të jetë barra e re shtesë, ose masa e konsolidimit për vitin e ardhshëm?

“Është e veshtirë ta thuash tani. Përshtypja ime është se do jetë diçka më pak se këtë vit. Por sërish kjo do të duhet të vlerësohet më vonë për të parë ku është pozicioni fiskal i vendit. Nëse të ardhurat kanë ecuri te mirë, nëse shpenzimet mbahen të ulta, atëherë edhe masa e konsolidimit ndryshon”, shton Ilahi.

FMN vlerëson ndër të tjera nisjen e reformës së pensioneve, ndërkohë që thekson se ngrirja e rrogave të administratës për tre vitet e ardhshme mbetet ende një çështje në diskutim.

Top Channel