Ligj i ri për banesën e fundit

13/05/2014 00:00

Tashmë varrimi nuk do të jetë më një rit tradicional unik për shqiptarët. Përpos banesës së fundit nëntokësore, do të ketë edhe alternativa të tjera për vendosjen e trupit.

Qeveria ka përgatitur një projektligj për shërbimin publik të varrimit, i cili parashikon ndryshime të rëndësishme për ritet e ceremonive mortore. Në të propozohen mënyra të reja ku, përpos varrimit nëntokësor, do të ketë edhe varreza mbitokësore, ose me kate.

Por, ajo çfarë tërheq vëmendjen në këtë draft, është ligjërimi i kremimit, ose ndryshe djegia e kufomës. Një propozim ky, që bëhet për herë të parë në vendin tonë. Kremimi është procesi i transformimit të kufomës nëpërmjet trajtimit industrial me nxehtësi të lartë, thënë ndryshe djegia.

Por, projektligji cakton kushte të veçanta për varrimin me kremim. Ai nuk mund të bëhet, pikë së pari, pa miratimin e familjarëve. Kufomat mund të digjen, vetëm nëse është lëshuar leja e varrimit nga zyra e Gjendjes Civile, pra njihet identiteti i personit të vdekur. Dhe, gjithashtu, duhet të vërtetohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrore, si dhe se shkaku i vdekjes është konstatuar jashtë çdo lloj dyshimi.

Por, edhe nëse asnjë nga rastet e mësipërme nuk përmbushet, mund të jetë Prokuroria, ajo që autorizon kryerjen e këtij rituali varrimi. Sipas projektligjit, hiri i personave të djegur duhet të vendoset në varreza. Edhe nëse është lënë amanet, që ai të hidhet në hapësirë, mbetjet trupore nuk duhen të hidhen në det të hapur dhe larg ujërave të përdorshëm.

Djegia e trupit, pasi ai të ndërrojë jetë, ndesh shumë polemika në vende të ndryshme, dhe debatet më të nxehta janë ato fetare. Kryesisht janë besimet, ato që ky rit mortor i ndan në dy kampe. Fetë, të cilat botërisht mbështesin djegien e trupit, janë Budizmi, Krishtërimi, Hinduimzi, Jehovai.

Kundër këtij riti rreshtohen disa fe, të cilat e kanë të ndaluar kategorikisht djegien: feja e Bahait, Kisha Ortodokse e Lindjes, Islami dhe Judaizmi ortodoks.

Top Channel