Alonso: Patëm vështirësi, kemi ende punë

09/05/2014 00:00

Pas ditës së parë të provave të lira në Barcelonë, Fernando Alonso, i renditur i katërti, dhe Kimi Raikkonen, i pesti, kanë rënë dakord për diçka kryesore: ka ende shumë punë për të bërë për Ferrarin.

Piloti spanjoll nuk është i kënaqur. “Duhet të përmirësojmë balancimin e njëvëndëshes dhe të marrim maksimumin, edhe pse në rrethana shumë pak të favorshme. Duhet të përshtatemi në kohë për provat zyrtare”, është shprehur Alonso. Ndërkaq, finlandezi i “kokëkuqes” ka garuar edhe më shumë, ndaj dhe ka deklaruar se “kemi provuar qendrueshmëri”.

Alonso: Kemi patur vështirësi

“Sot në pistë kemi pasur shumë pak kontroll, në përgjithësi na janë shtuar vështirësitë, të cilat vijnë si pasojë e një serie faktorësh, mes të cilave një pistë më pak e gomuar se zakonisht, një ngarkesë më e vogël aerodinamike krahasuar me të kaluarën, si dhe një zgjedhje e komponentëve tepër konservative, në gjykimin tim, për këtë pistë. Tashmë na pret shumë punë përpara, për të kërkuar optimizimin e balancimit të makinës dhe të marrim maksimumin, edhe pse në rrethana të pafavorshme. Duhet të jemi më të zotë nga të tjerët, për të gjetur modifikimet e nevojshme dhe për t’u përshtatur sa më shpejt për kualifikueset”.

Raikkonen: Ditë intensive

“Ka qenë një ditë veçanërisht intensive, në të cilën jemi përpjekur për të garuar sa më shumë të jetë e mundur, për të çuar në fund programin e parashikuar për 2 sesionet e provave të lira. Në mëngjes kemi provuar zgjedhje të ndryshme asetesh, duke alternuar dy krahë të ndryshëm në pjesën e pasme, ndërsa në sesionin e dytë i jemi dedikuar përgatitjeve për kualifikueset dhe për garën. Kemi studiuar sjelljen e dy gomave të vëna në dispozicion nga Pirrelli. Do të analizojmë të gjitha të dhënat e marra, për të zgjedhur se cilin drejtim do të ndjekim”.

Top Channel