Sharon Stone rikthehet në pasarelë pas 33 vitesh, surprizon në Javën e Modës në Paris Për 3 ditë radhazi në Bozar, Pallati i Arteve të Bukura në Bruksel, u mbajt festivali “Balkan Trafik”, ku Shqipëria prezantohej me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve së bashku me grupin polifonik Jonianët dhe sazen e Përmetit.
Maksim Kule, drejtues i grupit polifonik Jonianët, thotë: “Kemi dalë nëpër Europë, në Gjermani, Holandë, Ceki, në Hungari e sot vijmë në kryeqytetin e Europës, në Bruksel.”
“Tek kjo sofër europiane me emrin “Balkan Trafik”, sjellim mesazhe urimi nga Butrinti i lashtësisë”, shprehet Katerina Kule.
Vullnet Sila, këngëtar grupi polifonik Jonianët, shton: “Mirë se të gjetëm Europë, me kismet këtë qershor po të vjen një komb në portë, luftëtar e paqësor. Ne vijmë në familjen tënde me unazë tek ky bashkim dhe lumenjtë tanë në mendje kanë udhën për perëndim. Europë kemi qenë në vitet që kur të mbronim me pallë, sot të vijmë nga një rilindje, kurorë atdheut mbi ballë.”
Edicioni i tetë i festivalit ballkanik solli muzikë tradicionale, jazz, bashkëkohore, rome dhe elektronike, filma, dokumentarë e shfaqje teatrale, si dhe pije e ushqime tipike nga Serbia, Kosova, Maqedonia, Rumania, Bosnja, Greqia, Moldavia, Sllovenia, Turqia e Shqipëria. Kësaj radhe u organizuan gjithashtu tryeza pune duke ju ofruar spektatorëve të interesuar mësime mbi isopolifoninë dhe vallen tradicionale shqiptare.
Helga Saraçi, kërcimtare në AKKVP, thotë: “Aktiviteti i sivjetshëm përfshinte pak a shumë edhe njohuri mbi valle popullore shqiptare,por mbi të gjitha jemi për të performuar e për të qenë sa më afër me folklorin, këngën dhe vallen shqiptare dhe duke ua mësuar.”
“Ne ndamë këtë përvojë të mrekullueshme dhe mësuam pak mbi hapat shqiptarë dhe po vazhdojmë të kalojmë kohë të këndshme dhe unë kam ftuar dhe miqtë e mi për të ardhur në Bruksel vetëm për festivalin Balkan Trafik dhe sonte ishte shumë bukur, njerëzit janë të mirë e bëmë kaq qejf në festival”, thotë një i huaj.
Ja disa komente të tjera nga të huajt:
“Të krijon ndjenja gëzimi; kur e dëgjon muzikën , do të kërcesh e të qeshësh.
“Është thjesht e mrekullueshme. Kaluam kohë shumë të mirë, u kënaqa.
“Më pëlqeu vërtet, ishte mirë, ndoshta pse vitin e kaluar shkova në Shqipëri gjatë verës dhe kjo natë më rikujtoi udhëtimin që bëra.
“Balkan Trafik” mbledh çdo pranverë në Bruksel mbi 200 artistë dhe grupe muzikore nga vende të ndryshme të Europës juglindore dhe sipas organizatorëve të festivalit rreth 7000 vizitorë janë të pranishëm çdo vit për të ndjekur përzgjedhjet më të spikatura të Ballkanit.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel