Rusia, ultimatum për furnizimin me gaz

02/05/2014 00:00

Rusia kërcënoi të premten se do t’i ndërpresë Ukrainës furnizimin me gaz natyror në Qershor, nëse nuk merr parapagesë, në vazhdën e përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve mes Moskës, Ukrainës dhe Bashkimi Europian, mbi furnizimin me energji.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë rënë në pikën më të ulët që prej Luftës së Ftohtë, pas aneksimit nga Moska të rajonit të Krimesë prej Ukrainës, si dhe për shkak të nxitjes së përplasjeve mes milicisë pro-ruse dhe ukrainasve në Lindje të vendit.

“Nëse nuk marrim parapagimin për muajin Qershor deri në datë 31 Maj, atëherë me shumë mundësi ‘Gazprom’-i do të reduktojë furnizimin me gaz ndaj Ukrainës, ose do ta bëjë këtë vetëm për atë kapacitet që do të ketë paguar deri më 31 Maj”, tha ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Varshavë mes Rusisë, Ukrainës dhe Komisionit Europian.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Ukraina nuk do të ketë mundësi të ruajë mjaftueshëm gaz gjatë verës, për tranzit në vendet europiane gjatë stinës së dimrit.

Një e treta e kërkesave të BE-së për gaz plotësohet nga Rusia, ndërsa thuajse gjysma e tij kalon përmes Ukrainës, që ndodhet aktualisht në një situatë irritimi për rritjen e çmimit me eksportuesin rus të gazit, Gazprom, e treta grindje mes tyre gjatë dekadës së fundit.

Gazprom bën të ditur se Kievi i detyrohet mbi 3,5 miliardë dollarë për gazin, me të cilin është furnizuar deri më tani.

Bisedimet e së premtes për gazin u zhvilluan pasi presidenti rus, Vladimir Putin, bëri thirrje ndaj BE-së për të ndërhyrë në mënyrë që të shmangnin përsëritjen e kufizimit të furnizimit me gaz, siç ndodhi edhe në dy grindjet e mëparshme.

Duke dalë në mbështetje të dukshme ndaj Ukrainës, Komisioneri i BE-së për Energjinë, Guenther Oettinger, tha gjatë takimit se BE do të mbështesë firmën ukrainase të gazit Naftogaz ekonomikisht, duke shtuar se ai shpreson që të mos ketë kufizime të furnizimeve.

“Aksionerët premtuan se nuk do të ketë ndalim të furnizimit me gaz dhe, pavarësisht mosmarrëveshjeve ligjore, gazi do të vazhdojë të niset drejt BE dhe Ukrainës deri në fund të Majit”, tha Oettinger në një deklaratë të shkurtër. Tri palët do të takohen sërish nga mesi i Majit dhe përsëri në fund të tij.

Ministri ukrainas i Energjisë, Yuri Prodan, tha se Kievi dëshiron të paguajë një çmim të arsyeshëm tregu për gazin e importuar nga Rusia.

Top Channel