Ukraina ndalon atasheun rus në Kiev

01/05/2014 00:00

Një atashe ushtarak rus u ndalua në Ukrainë nën dyshimin e spiunazhit, e është urdhëruar të lërë menjëherë vendin. Emri i zyrtarit të shpallur “non grata” nuk është bërë i ditur.

Nga Ministria e Jashtme ukrainase thuhet vetëm se atasheu ishte angazhuar në aktivitete, që nuk përputhen me statusin e tij diplomatik.

Nga Kremlini nuk ka deri tani asnjë koment mbi incidentin, që vjen në mesin e përshkallëzimit të tensioneve mes Kievit dhe Moskës dhe situatës së pandryshuar në rajonet lindore të Ukrainës, ku separatistë të armatosur pro-rusë vazhdojnë të mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.

Pas pohimit të hapur, një ditë më parë, se forcat e tij nuk i qetësojnë dot trazirat, presidenti i përkohshem ukrainas, Oleksandr Turchynov deklaroi se objektivi kryesor tani është të ndalohet përhapja e tyre.

Po nga Turchynov erdhi edhe njoftimi se Ukraina është në gatishmëri të plotë për luftë, në një kohë kur prania e gati 40,000 trupave ruse në kufi e mban të gjallë frikën e pushtimit.

FMN aprovon huanë prej 17,1 mld dollarë për Ukrainën

Një ditë pasi paralajmëroi se 100 miliardë dollarë do të dalin nga Rusia këtë vit, dhe se ekonomia ruse do të përjetojë një recesion të thellë, pjesërisht edhe prej sanksioneve ndërkombëtare, FMN-ja miratoi një huà prej 17,1 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Dorëzania vjen me kushtin e reformave të thella ekonomike në vend, që përfshijnë rritjen e taksave dhe çmim më të lartë të energjisë elektrike. Situata në Ukrainë duket se është bërë shkas, që Barack Obama të vizitojë Poloninë në muajin Qershor, duke i shtuar kështu një ndalesë udhëtimit të tij drejt Brukselit, ku do të takohet me krerët e G7-s.

Takimi ishte planifikuar fillimisht të mblidhej si G8, në Soçi të Rusisë, por u anulua si rezultat i ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

Top Channel