Siri, tjetër sulm nga ajri në Aleppo, 33 viktima

01/05/2014 00:00

Të paktën 33 njerëz kanë mbetur viktima të një sulmi nga ajri, mbi një market në distriktin e kontrolluar nga rebelët në qytetin verior të Sirisë, Aleppo, bëjnë të ditur aktivistët.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se sulmi ndodhi në periferinë veriore të Halak-ut. Ndërsa “Aleppo Media Center”, e cila e ka çuar numrin e viktimave në mbi 40, tha se dy ndërtesa rezidenciale janë shkatërruar.

Të mërkurën, avionët qeveritarë bombarduan një shkollë në pjesën jugore të Aleppo-s, duke vrarë 18 vetë, nga të cilët 10 fëmijë.

Fondi për Fëmijët i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) shprehu irritimin e tij për atë që – sipas tyre – ishte “vala e fundit e sulmeve pa dallim, të ndërmarra ndaj shkollave dhe objektivave të tjerë të mbushur me civilë”, anembanë vendit.

“Këto sulme duket se po përshkallëzohen, në kundërshtim të plotë me thirrjet që janë bërë për të ndalur këtë cikël dhune të papërgjegjshme, si dhe për të shmangur shkeljen e ligjeve ndërkombëtare”, bëri të ditur UNICEF.

Zonat e kontrolluara nga rebelët në Aleppo janë vënë nën shënjestër të bombardimeve nga ajri që prej mesit të Dhjetorit, teksa forcat qeveritare po mundohen t’i japin fund ngërçit 3-vjeçar në qytet.

Top Channel