Netanyahu: Izraeli, ligjërisht “shtet hebre”

01/05/2014 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten se do të kërkojë hartimin e një ligji të ri, i cili do ta deklarojë Izraelin si një shtet hebraik, duke i dhënë një tjetër goditje refuzimit të palestinezëve për ta njohur këtë status në bisedimet – e ndalura tashmë – për paqe në Lindjen e Mesme.

“Do të hartoj një ligj themelor, i cili do ta përkufizojë Izraelin si një shtet-komb i popullit hebre”, tha Netanyahu gjatë një fjalimi në Tel Aviv, që aludohet të jetë bërë si kundërpërgjigje e refuzimit të palestinezëve për të njohur Izraelin, në negociatat e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Palestinezët kanë frikë se ky veprim do të çojë në diskriminimin e minoritetit arab në rajonet e pushtuara nga Izraeli, i cili përbën rreth 1/5-tën e popullsisë së këtij shteti, dhe të mohojë të drejtën e kthimit të refugjatëve palestinezë nga luftrat prej vitit 1948 në atë territor që sot quhet Izrael.

Mishërimi në ligj i konceptit të Izraelit, një shtet hebre, një përkufizim që është përfshirë edhe në Deklaratën e saj të Pavarësisë në 1948, mund të komplikojë edhe më tej përpjekjet për të rifilluar negociatat, të cilat kanë ngecur për një sërë arsysh dhe kontradiktash mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Netanyahu, duke folur nga ndërtesa ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë në 1948, tha se ata që synojnë krijimin e një shteti palestinez, ndërkohë që refuzojnë të njohin Izraelin si një shtet hebre, janë duke sfiduar të drejtën tonë për të ekzistuar.

Mohammad Barakeh, një ligjvënës arab nga partia e majtë Hadash, tha se ligji i deklarimit të Izraelit një shtet hebre do të jetë me natyrë raciste. “E vërteta është se jam surprizuar nga qëllimi i tij për ta kthyer këtë në një ligj themeltar”, tha Barakeh për “Reuters”.

“I kam ndjekur veprimet e Netanyahu-t gjatë bisedimeve për paqe. E di shumë mirë se ai nuk e dëshiron paqen dhe kërkon të vërë ‘shkopinj nën rrotë’. Por, me këtë deklaratë ka shkuar shumë larg”.

Netanyahu, në fjalimin e tij, u angazhua se Izraeli gjithmonë “do të sigurojë barazi të plotë për të drejtat personale dhe sociale ndaj të gjithë shtetasve të tij, hebrenj ose jo, në shtetin hebraik dhe demokratik”.

Top Channel