Kievi rikthen shërbimin e detyrueshëm

01/05/2014 00:00

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Olexander Turchynov, ka rivendosur mobilizimin ushtarak, në mënyrë që të përballet me përkeqësimin e sigurisë në Lindje të vendit.

Lëvizja, e shpallur me dekret, erdhi pas pushtimit të zyrës rajonale të Prokurorit nga militantët pro-rusë në qytetin lindor të Donjeckut.

Ukraina fajëson Rusinë si organizatore të mësymjes ndaj zyrave të administratave lokale në lindje, një akuzë të cilën Moska e mohon. Rreth 40 mijë trupa rusë janë stacionuar pranë kufirit lindor të Ukrainës.

Turchynov pranoi të mërkurën se forcat e tij e kishin të pamundur dhe janë të papërkrahur për t’i bërë ballë trazirave në disa pjesë të Lindjes së vendit, duke thënë se synimi tani për tani ishte shmangia e përhapjes së tyre në rajone të tjera.

Ai tha gjithashtu se Ukraina ishte “në gatishmëri të plotë luftarake”, për shkak të frikës se trupat ruse mund të pushtojnë rajonet lindore të vendit. Të enjten, zyra e tij bëri të ditur përmes një deklarate se, mobilizimi i detyruar ushtarak ishte rikthyer në vend “për shkak të përkeqësimit të situatës në lindje dhe në jug, për shkak të rritjes së forcave dhe njësive pro-ruse, si dhe pas marrjes së ndërtesave të administratës publike në to, gjë që kërcënon ndjeshëm integritetin territorial tashmë”.

Korrespondentët thonë se Ukraina ka rreth 130 mijë trupa në forcat e saj të armatosura, të cilat mund të përforcohen me rreth 1 milionë rezervistë.

Kievi hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të rinjtë, në fund të vitit 2013, pas një ligji të nxjerrë nga ish-presidenti Viktor Yanukovych. Në atë kohë, Yanukovych tha se Ukraina do të ndërmerrte reforma ushtarake për të krijuar “një ushtri profesioniste”.

Në Donjeck, të enjten, militantë pro-rusë sulmuan zyrën e Prokurorit, duke akuzuar njerëzit brenda saj se qendronin në krah të qeverisë së Kievit.

Turma më pas hyri me forcë në ndërtesë, duke rrëmbyer armë dhe mburoja nga oficerët e policisë. Shumë prej agresorëve thërrisnin “Fashistë! Fashistë!”. Ka raportime për të plagosur nga të dyja kampet.

Donjecku, një qendër e fuqishme industriale me mbi 1 milion banorë, ka përjetuar një seri zyrash qeveritare të mësyhen nga pro-rusët gjatë javëve të fundit.

Ukraina Lindore ka një popullsi të madhe rusisht-folëse dhe ka qenë një nga bastionet e ish-presidentit Yanukovych, përpara se ai të rrëzohej nga pushteti nga protestuesit, në muajin Shkurt.

Rusia më pas aneksoi gadishullin e Krimesë, pjesë e Ukrainës por me popullsi kryesisht rusisht-folëse, në një lëvizje që provokoi irritimin e ndërkombëtarëve. Kriza ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit, deri në atë pikë që konsiderohet si më e keqja, që prej Luftës së Ftohtë.

Top Channel