Itali, përleshje në paradën e 1 Majit

01/05/2014 00:00

Dita e 1 Majit ka degraduar në dhunë dhe përleshje në disa qytete të Italisë, kryesisht në Torino, ku të papunët janë përleshur me forcat e policisë.

Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “ANSA”, një turmë të papunësh që kishin dalë për të marshuar kanë tentuar të përçajnë një kordon të policisë, duke bërë që situata të degradojë.

Nga ana e saj, policia ka arrestuar nëntë persona dhe ka sekuestruar shkopinj dhe objekte të tjera të përdorura nga manifestuesit në ditën ndërkombëtare të Punës.

Por manifestuesit nuk e kanë mbyllur me kaq tubimin e tyre dhe kanë hedhur ndaj forcave të rendit edhe karrike të kafeneve dhe restoranteve që ndodheshin përgjatë rrugës.

Megjithatë, trupat e policisë nuk janë zmbrapsur dhe kanë arritur të neutralizojnë atë pjesë të dhunshme të protestuesve dhe kanë marrë në mbrojtje një grup eksponentësh të Partisë Demokratike që ishin të pranishëm në shesh.

Protestuesit e dhunshëm kanë kryer edhe më parë lëvizje, kryesisht kundër një vepre infrastrukturore në rajonin e Piemontes dhe shkëndia u ndez në momentin kur në shesh mbërriti një senator, i njohur për mbështetjen e projektit.

Fillimisht ka pasur disa shtytje, por më pas policia ka arritur të ndajë dy grupet. Gjithashtu, parada është shfrytëzuar nga disa persona që kanë protestuar kundër vrasjes së një të riu nga policia, duke ngritur parulla me shkrimin “Policia vret”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel