Holandë, arrestohen aktivistët e Greenpeace

01/05/2014 00:00

Policia holandeze ka marrë nën kontroll një anije të grupit Greenpeace dhe ka arrestuar 30 aktivistë të tij, të cilët po përpiqeshin të bllokonin ankorimin e një anijeje ruse me naftë në portin e Rotërdamit.

Greenpeace deklaron se anija po transportonte sasinë e parë të naftës nga një platformë detare në Arktik. Mes të arrestuarve është edhe kapiteni i anijes së aktivistëve “Rainbow Warrior”, Peter Willcox.

Greenpeace deklaroi se hedhja në det e disa trungjeve prej gome nga anija “Rainbow Warrior” bllokoi me sukses rrugën e anijes ruse. Por policia holandeze deklaroi se asaj iu mundësua ankorimi në portin e Rotërdamit.

Rreth 80 aktivistë të tjerë që lundruan në barka gome u përfshinë në përpjekjet për të ndalur çisternën ruse. Protestuesit arritën të shkruanin “Jo naftës së Arktikut” me gërma të mëdha jeshile në pjesën anësore të anijes me karburant.

Kapiteni i tyre Peter Willcox ishte mes aktivistëve që u arrestua vitin e kaluar në Rusi pasi protestoi kundër kërkimeve të naftës në Arktik.

30 persona u ndaluan për huliganizëm në shtator, pasi forcat speciale ruse hipën në bordin e anijes “Arctic Sunrise”, që po bënte një fushatë kundër shpimeve në oqean nga kompania ruse e naftës, “Gazprom”. Të 30 ata u liruan më vonë në dhjetor në kuadër të ligjit të ri të Rusisë për amnistinë.

Top Channel