Tronditja e partneritetit ruso-gjerman

30/04/2014 00:00

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë, për vite me radhë konsideroheshin mjaft të konsoliduara. Por, që prej krizës së Ukrainës, sinjalet flasin për një përplasje, ku Gjermania rrezikon të humbasë rolin e saj të veçantë.

Në pritjen e dhënë nga “Nord Stream AG” në Shën Pjetërburgun rus, u takuan dy miq të mirë: Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe ish-Kancelari gjerman Gerhard Schroeder, për nder të të cilit u organizua eventi.

Schroeder është kryetar i Komisionit të Aksionerëve të Sipërmarrjes, shumicën e së cilës e ka koncerni rus “Gazprom”, që është operatore e përçuesit të gazit nga Deti Baltik në brigjet e Gjermanisë.

Në pamje të parë, duket se marrëdhëniet gjermano-ruse janë shumë të mira. Edhe pse Schroeder është tërhequr nga politika aktive, partia e tij SPD është pjesë e qeverisë dhe një nga kolegët e vet më të besuar, Frank-Walter Steinmeier, është sot përgjegjës për politikën e Jashtme gjermane.

Por, kriza në Ukrainë e ka ndryshuar në mënyrë të qëndrueshme raportin mes dy shteteve, duke i larguar nga njëri-tjetri. Ekspertët mendojnë se në sfondin e “ringjalljes së Luftës së Ftohtë” kërkohet më shumë “solidaritet aleance dhe jo rol i veçantë”.

Në aspektin ekonomik, gjërat janë pak më ndryshe dhe Gjermania e Rusia vazhdojnë të mbeten të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ekonomia gjermane lufton me vendosmëri kundër raundit të tretë të sanksioneve, pasi me shumë të drejtë, sipas vëzhguesve, druhet se masat do t’i mbyllnin dyert tregut rus, duke bërë që nga e gjithë kjo situate të përfitonte një i tretë: ekonomia kineze.

Top Channel