Siri, sulm nga ajri në Aleppo, vriten fëmijë

30/04/2014 00:00

Të paktën 18 persona u vranë, 10 prej tyre fëmijë, dhe shumë të tjerë u plagosën, pas një sulmi ajror, në shenjestër të të cilit ishte shkolla Ein Jalout, në lagjen Ansari, në qytetin Aleppo në Siri.

Sipas Observatorit për të Drejtat e Njeriut, aty ishte hapur një ekspozitë, ku shfaqeshin punimet e fëmijeve.

Pamjet e publikuara pas sulmit tregonin klasat tërësisht të rrënuara. Një video e publikuar nga aktivistët e opozitës shfaqte edhe trupat e fëmijëve të mbështjellë me çarçafë.

Rami Abdel Rahman, drejtori i Observatorit për të Drejtat e Njeriut, tha për agjencinë e lajmeve AFP se fëmijët e vrarë ishin të moshës 12 ose 13 vjeç.

Një tjetër grup, “Qendra e Medias së Aleppo-s”, foli për 25 të vrarë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin fëmijë. Aleppo është një prej qyteteve, ku janë zhvilluar përleshje të ashpra mes ushtrisë dhe kryengritësve.

Top Channel