SHBA, ekzekutimi me vdekje

30/04/2014 00:00

Clayton Lockett, një i dënuar me vdekje në Oklahoma, ndërroi jetë gjatë përpjekjes së dështuar për kryerjen e një ekzekutimi sipas procedurës, episod ky që rindezi debate të vjetra në vendin, i cili vazhdon ta përdorë dënimin kapital.

13 minuta pas administrimit të dozës së parë të injeksionit vdekjeprurës, Lockett ngriti kokën e nisi të murmuriste diçka. Mjeku kërkoi ndalimin e ekzekutimit, por 38-vjeçari vdiq 40 minuta, pasi kishte nisur procedura.

Arsyeja e vdekjes: ataku kardiak. Plasja e një vene gjaku, sipas konstatimit të mëvonshëm të ekspertëve, nuk kishte lejuar funksionimin e saktë të tre narkotikëve të përdorur. Pas ngjarjes, ekzekutimi i një tjetër të dënuari, Charles Warner, i paracaktuar të ndodhte 2 orë më vonë, u shty me 14 ditë.

Kur e panë se diçka nuk po shkonte siç duhej, punonjësit e burgut ulën perdet e dhomës së rrethuar me xhama, në mënyrë që publiku në sallë të mos shikonte përpëlitjet e 38-vjeçarit.

Locket ishte i ndërgjegjshëm pas nisjes së procedurës, puliste sytë e pastaj filloi të fliste, kujton njëri prej personave në vendngjarje. Pastaj, i gjithë trupi i tij filloi të dridhej e u pushtua nga konvulsionet; ishte shumë e vështirë të shihje një skenë të tillë, shton ai.

Guvernatorja e Oklahomës, Mary Fallin, urdhëroi rishikimin e plotë të të gjitha procedurave të ekzekutimit në këtë shtet. Locket u dënua me vdekje në 1999-n për vrasjen e një 19-vjeçareje, ndërsa Warner e kishte marrë dënimin kapital dy vjet përpara tij për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 11-muajshe.

Top Channel