107 viktima të pafajshme prehen në fshatin Borovë të Kolonjës. Burra, gra e deri fëmijë u masakruan nga trupat gjermane në korrik të vitit 1943. Por sot më shumë se 70 vite më pas duket sikur historia është flashkur e ka shkuar bashkë me vëmendjen, kujdesin e respektin që meritojnë vende të tilla, si pjesë e kujtesës.

Ishte 6 korriku i 1943, pas rënies së italianëve vendin e tyre po e
zinin gjermanët, autokolona naziste e ardhur nga Korça po kalonte në
këtë zonë kur mori një goditje të papritur në afërsi të fshatit Barmash
nga një trupë partizane e udhëhequr nga Riza Kodheli.

Kaq u desh që gjermanët të ktheheshin në drejtim të fshatit tjetër Borovë duke nisur një masakër që do të mbetej në histori. Fëmijë nga 3 vjec e deri në pleq 73-vjeçareë u masakruan. Kush mundi u largua, të tjerët u vranë e u dogjën bashkë me të gjithë fshatin.

Borova u shpall fshat martir, e në përkujtim të kësaj ngjarjeje të rëndë u ngrit edhe një memorial ku u vendosën varrezat e të vrarëve e po ashtu një muze që të përkujtonte tragjedinë. Por si shumëçka në 24 vite në Shqipëri shkatërrimi ja zuri vendin memories duke lënë pas vetëm grahma kujtese të lodhur.
 
Në Borovën që ngrihet vetëm 6 kilometra nga Erseka e ku jetojnë rreth 35 familje bie shpejt në sy kodra ku ndodhen varrezat. Dikur ajo ka qenë një lagje e fshatit e shkrumbuar plotësisht nga nazistët. 107 viktima prehën këtu si pjesë e një historie sa të dhimbshme, aq edhe tragjike që të tërheq pas saj hap pas hapi. Degradimi nga mosmirëmbajtja është i dukshëm. Një pjesë e memorialit e konceptuar si një shqiponjë e madhe është rrënuar, muret kanë rënë e vende-vende janë çarë. Banorët thonë se e vetmja përkujdesje edhe pse minimale i është dhënë nga komuna, veç saj asgjë tjetër veç harresë e vazhdueshme sic tregon edhe kryplaku Jani Dhami të cilit i prehen 6 anëtarë të familjes në këtë vend.

“Ne na dhimbsen shumë varrezat. Është një historik që duhet. Vijnë turistë, vijnë plot njerëz që duan të dijnë historik dhe s’dinë ku të përplasen. Të vijnë të ashtu një dicka. Ka ngelur në mëshirë të fatit nuk e dimë po vuri dorë shteti me një investim të vogël mund të rregullohet dicka”, thotë Jani Dhami që ka 6 pjesëtarë të familjes në këto varreza.

Mes tyre duket sikur heshtja klith, me zërin e përmbytur, por kurrë të shuar të viktimave.

“Në fillim e filluan shumë mbarë, e thurën  mirë me gureë. Tani ka marrë, mund të thuash ka ikur , është hequr dorë nga kjo anë dhe pse nuk e dimë”, tregon Pavllo Raspopi.

Më tej gjendja në muze është edhe më e frikshme. Në errësire e mes hartave të lagështisë, pjesët e shpërndara të një mozaiku janë treguesi i vetëm se kjo nuk është një shpellë, por diçka tjetër.

Të gjitha ambientet janë në gjendje të tillë, aq sa është e vështirë të orientohesh.

“Është për të ardhur keq që në një fshat me një histori kaq të tillë dhe të lavdishme të popullit tonë të jetë muzeu i fshatit në një gjendje kaq të mjerueshme. Janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga banorët, të vazhdueshme nëpërmjet letrave dhe peticioneve të ndryshme që u janë drejtuar qeverive të ndryshme gjatë 24 viteve, por deri më sot sic e shihni dhe vetë, nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr. Nuk gjej fjalë cfarë mund të thuash për këtë gjendje”, thotë At Kristaq Tase.

Duke parë harresën shtetërore disa janë përpjekur të nderojnë vetë kujtimin e të afërmeve sic është rasti i Sotiraq Vangjelit, dikur një ndër bilbilët e këngës së zonës.

Para se të vdiste në derën e shtëpisë së dikurshme ku i kishin vrarë nënën dhe motrën, ai ngriti një memorial edhe pse nuk mundi ta shikonte të përfunduar i gjallë.

“Borovarët thonë i bëjmë thirrje gjithë pushtetarëve të djathtë ose të majtë të vënë dorë në këtë fshat se ka një histori që është lyer ky fshat me gjak që nga foshnja e deri tek plaku. I bëjmë thirrje të gjithë pushtetarëve të vijnë dhe të bëhet një fshat muze që ta ketë zili e gjithë Shqipëria”, thotë  Gjergji Cunga, banor i fshatit.

Mjafton të shikosh letrat drejtuar institucioneve të ndryshme në mëse 20 vjet për të kuptuar përpjekjet e tyre për të rikthyer vëmendjen në Borovë.

“Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigjje pozitive. Vetëm negative. Përgjigjet i kam të gjitha në sirtar, që nga Presidenti,  Ministri i Mbrojtjes, Kryeministri i asaj kohe kur ishte atëherë të gjitha përgjigjjet i kam aty. Kot dmth kot. Borova ka ngelur në harresë, fare në harresë nga të tëra pushtetet që janë ndërruar nuk kemi parë një dorë shteti, qoftë edhe një gurë të ndërtohet me tërë këtë histori të madhe, me tërë këtë gjak. Ja këtu janë tre viktima brenda, kudo nga tre nga pesë nga dhjete të të gjitha familjet me eshtra brenda”, rrëfen Fredi Tota ish kryeplak i fshatit.

Ka shumë për të folur e shkruar në Borovë, aq shumë sa gjërat duket sikur nuk përfundojnë kurrë. Banorët të tregojnë me radhë shtëpi të ndryshme, kishën e dikurshme dhe vendin ku u vra Arqimandriti Grigor Papa, para shtëpisë së tij u masakruan edhe 47 banorë të tjerë.

“Për Borovën nuk është punuar asgjë. Duhet të punojnë në këtë drejtim, të çelin një fond të merren disa masa, të bëhet një projekt dhe të ndërtohet dicka që megjithëmend ka vënë dorë edhe shteti në këtë drejtim”, shprehet Aleks Serafin Konini, banor i fshatit.

Borova ka qenë një fshat me pozitë të lartë, me njerëz të shkolluar e që emigrimin e patën prekur herët, një fshat që nuk u shua, sic thonë banorët, as nga gjermanët duke ruajtur traditat dhe cilësitë më të mira. Borova duhet të ishte një fshat turistik, ose të paktën ku njerëzit të vinin e të gjenin dicka mbi historinë e tij, ndryshe nga sot ku një pjese mund t’i duket thjesht si gojëdhënë, ndërsa një tjetre që kalon atypërtejmi një stacion ku nuk mund të gjesh më asgjë për atë ç’ka ka ndodhur dikur.

“Këtu ne kemi parë që rrugë është. Më shumë ndalojnë të huajt se vendasit dhe gjejnë ato varrezat atje, vetem vendet gjejnë dhe asgjë tjetër”, tregon  Tatjana Vllamasi.

Masakra e Borovës u përkujtua vitin e shkuar në 70-vjetorin e saj ku nuk nguroi të vinte edhe i biri i një prej nazistëve pjesëmarrës në atë batërdi gjakatare, i cili në një akt qytetar e njerëzor kërkoi falje për krimet e të atit.

“Kërkoj të falur në emër të babait tim. Ai ka marrë pjesë në vrasjet e më shumë se 100 civilëve të pafajshëm në Borovë. Ma la amanet që dikur të gjeja mundësi për të kërkuar ndjesë në emër të tij”, do të shprehej Markus Burger më 6 korrikun e 2013-s.

Përtej ngjyrimeve politike që përpiqen t’u japin herë pas here atyre viteve, rasti i Borovës është një ngjarje krejt tjetër që duhet kujtuar e ruajtur.107 viktima, nuk ishin as gurë, as copa druri, as ndonjë re kalimtare, as pika shiu, por njerëz të pafajshëm burra, gra, gjyshër e deri fëmijë që u vranë në shtëpitë e tyre, në fshatin e tyre, ndaj edhe në këtë vit që politika po e pompon si atë të 70 vjetorit të clirimit të vendit, Borova duhet të zërë një vend të vecantë, vendin që i takon e që sic thonë edhe banorët e ka lyer me gjakun e njerëzve të saj.

Gjermani Markus Burger erdhi të kërkonte falje për krimet e kryera nga babai 70 vjet më parë, po ne a do të kemi guxim t’i kërkojmë falje për harresën 107 viktimave të pafajshme?!

Top Channel