
Në kompleksin e testeve bërthamore të Koresë së Veriut është vërejtur një rritje e aktiviteteve, në prag të vizitës së presidentit Barack Obama në rajon.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut bëri të ditur lajmin, duke saktësuar se ushtria aktualisht është duke verifikuar aktivitetet në kompleksin nuklear. “Korea e Veriut mund të jetë duke planifikuar një test bërthamor surprizë, ose shtiret sikur po përgatit një të tillë”, deklaroi zëdhënësi.
Shefi i Shtabit i Koresë së jugut ngriti të hënën një task forcë të posaçme për të monitoruar situatën, saktësoi më tej zëdhënësi. Zoti Obama pritet të mbërrijë në Korenë e Jugut të premten, pas një vizite treditore në Japoni.
Bisedimet shumëkombëshe që synojnë dhënien fund të programit bërthamor koreano-verior janë ndërprerë prej vitesh. Muajin e kaluar Peniani kërcënoi se do të kryejë një “metodë të re” testi bërthamor, por nuk është e qartë se për ç’formë bëhet fjalë.
Regjimi i Penianit ka kryer tre teste bërthamore ndër vite. Më i fundmi ishte ai i shkurtit 2013, një veprim ky që shkaktoi muaj të tërë tensionesh në gadishullin Korean. Gjithashtu, vendi kishte kryer teste të tjera në vitet 2006 dhe 2009.
Të gjitha testet, që ishin paralajmëruar para kryerjes së tyre, u pasuan nga sanksione nga Kombet e Bashkuara për Penianin. Por pavarësisht se Veriu i ka kryer testet, Perëndimi nuk beson se ai ka arritur të përfeksionojë procesin e prodhimit të kokave bërthamore, të përmasave të vogla për t’u vendosur në një raketë.
Top Channel