Markez dhe një problem i narracionit

20/04/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Gjithmonë, ashtu si shumë të tjerë në këtë botë, e kam pyetur veten se si është e mundur që një shkrimtar që thotë se është frymëzuar nga rrëfimet e gjyshes së tij atje në Arakatakën e largët dhe që, ashtu si gjyshja e tij e kthen atë fshat dhe e bën Makondo, pëlqehet njësoj si nga një shqiptar ashtu edhe nga një amerikan, anglez, bangladeshas e kështu me radhë.

Gabriel Garsia Markez erdhi në Shqipëri përmes përkthimit brilant të Aurel Plasarit në fillim dhe të Mira Meksit më vonë dhe në atë kohë që, për shumë arsye, kishte një vëmendje të caktuar për shijet, për shkak edhe të leximit të orientuar, Markezi u bë edhe këtu një shkrimtar mjaft popullor dhe i lexuar thuajse nga të gjithë ata shqiptarë që kishin një marrëdhënie me librin. Vdekja e tij u përcoll pothuajse nga të gjitha mediat qendrore të botës. Është quajtur shkrimtari më i madh i gjuhëve hispanike pas Servantesit. Romani i tij i famshëm “Njëqind vjet vetmi” apo “Dashuria në kohërat e kolerës”, ashtu si edhe “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë” etj., janë ndër veprat më të lexuara në botë. Ai e ngriti në një nivel të paarritshëm atë që u pagëzua nga kritika botërore si “realizmi magjik”. Markezi vetë e shpjegon shumë bukur këtë mënyrë rrëfimi kur flet për gjyshen e tij dhe thotë se në gojën e saj gjithçka transformohej dhe bëhej ireale. Në një rast, kujton ai, mbaj mend se në shtëpinë tonë vinte një elektricist që llambat i mbante të lidhura në brez. Gjyshja ime kur rrëfente për të thoshte se ai ishte i mbuluar në brez me flutura shumë të bukura. Unë e shihja dhe magjepsesha me fuqinë që kishte ajo për ta shndërruar realitetin në një irealitet, për ta transformuar atë në një realitet magjik, si të rrëfyer nga një magjistar. Unë e kam ndeshur këtë magji në rrëfim edhe te Kadare e sidomos te romani “Kronikë në gur” apo te Kuteli dhe sidomos te novela “Fshati im e pi rakinë”. Ndërsa disa herë jam befasuar edhe nga fuqia e shkrimtarit Khaled Hussein nga Afganistani që arrin të vizatojë apo të tregojë të njëjtat emocione si ato që provohen në Kabul ashtu edhe ato që ndihen në Tiranë e Londër apo magjinë që ka në rrëfim shkrimtari turk, Orhan Pamuk. Mirëpo letërsia dhe rrëfimi janë një shenjë e mjaftë për të dalluar edhe çrregullimet në rrëfim që tronditin një shoqëri të tërë.

Markezi dhe avionët mushkonja

Prej disa kohësh shoqëria shqiptare është viktimë e përdhunimit nga vetëm një ligjërim dhe nga vetëm një formë rrëfimi. Letërsia, drama, filmi, piktura, opera apo cilado gjini apo lloj tjetër arti janë zbehur ose ato gjallojnë të brishta nëpër furriqe kotecesh pa asnjë zë që shoqëria i quan institucione kulture, por që nuk mbledhin aty veçse disa pula apo gjela të krekosur që më shumë i hakërrehen njëri-tjetrit sesa bëjnë vezë apo vepra. Vendin e kakarisjes e kanë zënë pëllitjet në stallën e madhe të teatrit politik shqiptar që është Parlamenti. Dhe vini re se çfarë ndodh: një i sëmurë mendor dhe i dalë nga të gjitha binarët, rrëfen një tekst sureal dhe thotë se avionë me drogë ulen nëpër autostrada dhe nëpër fusha e livadhe. Markezi thotë se në qoftë se ti thua që hipopotamet fluturojnë të marrin për të çmendur, por në qoftë se ti thua që 127 hipopotame po fluturonin mbi qiellin e… në këtë rast ai që të dëgjon do të presë se çfarë ti fsheh pas kësaj forme rrëfimi. Ndërsa në rrëfimin tonë publik avionët që ngarkohen me drogë, meqenëse janë produkt i një mendjeje alucinante të japin dorë për realizëm magjik si ai që bën Edi Rama kur thotë se mushkonjat i duken të lajthiturit si avionë. Mirëpo në këtë teatër absurd ne kemi mbetur viktima të një rrëfimi primitiv dhe po sëmuremi të gjithë nga epidemia e diarresë së një ligjërimi që ka nisur këtu e njëzetë vjet dhe nuk po di të ndalet.

Po pas Markezit çfarë do të lexojmë?

E thashë pak më lart se në kohën kur Markezi erdhi në Shqipëri gjeti një vëmendje gati të përqendruar mbi vlerat dhe publiku ashtu si një turmë e mbyllur në kafaz dhe e izoluar kishte vendosur letërsinë si të vetmen antenë me botën jashtë. Të ndihur nga fati, ajo shoqëri kishte përkthyes të mëdhenj dhe një shkrimtar gjeni si Kadare, që i kishte ndihmuar të mprehin shijen. Dhe, ashtu të mbyllur e të izoluar, jetonin me botën fantazioze të letërsisë edhe për shkak se koha kishte ndaluar dhe gjithçka ishte e ngrirë. Është paradoksale që liria e ëndërruar dhe e kërkuar nga të gjithë, në vend që të sillte prosperitet kulturor, ka sjellë rrënim dhe mjerim shpirtëror. Po të pyesësh sot të rinjtë se cili është shkrimtari më i lexuar në botë, nuk dinë të të përgjigjen, ashtu siç nuk të përgjigjet askush përse nuk qarkullon më letërsia shqiptare dhe përse ata pak shkrimtarë që shkruajnë libra shumë të mirë, siç është edhe romani i fundit i Besnik Mustafajt “Autoportret me teleskop” nuk arrijnë të bëhen ngjarje kulturore, të bëhen objekt bisedash apo debatesh nëpër media. E thashë edhe pak më sipër se po të përdorja metaforën e Oruellit ne tani i ngjajmë një fermë të madhe që ka vetëm një institucion rrëfimi që është stalla e madhe e Parlamentit ku bëhen romane, filma, drama, piktura. Ndërsa ne, banorët e mjerë, si ca kafshë pa kuptim mblidhemi apo strukemi nëpër furriqe të ndotura nga zilia dhe mediokriteti dhe aty më shumë kacafytemi me njëri-tjetrin si ca shpendë bishtpërdredhur sesa nxjerrim zërin. Nuk dua të përmend asnjë shembull. Mjaft të kujtojmë që sot në Shqipëri nuk ka asnjë media që t’i kushtohet tërësisht artit apo kulturës. Mirëpo, ashtu si në kohën e komunizmit kur të gjithë e ndienin veten poetë apo shkrimtarë, sepse lexonin një libër në muaj edhe sot të gjithë ata që kanë një mikrofon në dorë apo një podium ku të flasin e ndiejnë veten shkrimtarë dhe prodhojnë një roman aq të mërzitshëm sa nuk mund mendohet dot, aq të trishtë sa edhe njëqind vjet vetmi do të ishin më të bukura sesa këta njëzet vjet në Shqipëri. Lamtumirë, “Babo”! Ta dish se edhe në Shqipëri të kanë çmuar dhe të çmojnë, ndoshta se erdhe në një kohë kur vendi nuk ishte çmendur ende…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA