Mbi autopsinë e një kauze të humbur

16/04/2014 00:00

Sokol Shameti – Edi Rama s’e ka keq. Mbase duhet të nisim ta shohim Saimir Tahirin me admirim.

Episodet e ditëve të fundit në tensionin midis asaj çka vetëquhet “shoqëria civile” në Shqipëri nga njëra anë dhe forcave të rendit nga krahu tjetër nxorën në dritë disa të vërteta të trishtueshme. Në radhë të parë, nisja me pompë dhe përfundimi me psherëtima i asaj që thuajse u ripaketua si kthim i ditëve të furishme të nëntorit antikimik ka lënë hapur derën për një forcim të arrogancës nga ana e autoriteteve. Kjo, për arsyen se këto të fundit dolën nga kjo betejë, moralisht fitimtare.

Vërtet më 12 prill, Policia e Shtetit tejkaloi çdo masë në Rrugën e Kavajës. Ajo u angazhua në dhunim masiv të qytetarëve, kanosje të gazetarëve dhe demonstrim të një brutaliteti të pashpjegueshëm revanshist. Nga ana tjetër – është vërtet qesharake ta mendosh – por mjaftuan dy-tri taktika fare amatoriale marrëdhëniesh publike për ta komercializuar me sukses gjithë këtë marrëzi kolektive institucionale. Një artikull banalizues këtu, dy bllokime lajmesh atje, një formulim “i pambuktë” pak më tutje, një përkëdhelje sedre ndaj gazetarit më të ekspozuar ndaj dhunës – dhe gameover.

Karuseli propagandistik funksionoi për mrekulli, duke i mbrojtur shpinën makinerisë së dhunës që desh diskreditoi gjithë qeverinë po të ishte lënë të shfaqej para publikut me fytyrën e saj të vërtetë – ose më keq akoma, po të hiperbolizohej qëllimshëm siç ka ndodhur rëndom këto 8 vitet e fundit. Përfundimi është që populli teleshikues gabimisht pandeh sot se jashtë në rrugë qarkullon një polici korrekte, e sjellshme, e moralshme dhe madje edhe e përgjegjshme për të kuptuar kur e tepron. Ky perceptim i rrejshëm, s’është gjë tjetër veçse parakolpi i një tjetër përplasjeje traumatike në rastin më të afërt. Arroganca policore është sërish aty, thjesht kësaj radhe arritën ta fshehin me mjeshtëri. Çdo fashizëm, thonë gjetkë, është një revolucion i papërfunduar.

Së dyti, ngjarja në kompleksitetin e saj dëshmoi në mënyrë elokuente kalbëzimin përfundimtar të asaj që siç thamë, vetë-portretizohet si “shoqëri civile” në Shqipëri. Vërtet, kauza fillestare që provokoi tubimin e 12 prillit do të mjaftonte për të gjeneruar një furtunë të vërtetë po të menaxhohej me urtësi. E megjithatë, ajo u diskreditua në mënyrë fëminore nga individët e paorganizuar, si dhe nga disa grupime të shthurura, të paartikuluara, të paedukuara dhe të motivuara partiakisht që u angazhuan në të.

Rrjetet sociale prej javësh ziejnë nga sensibiliteti i krijuar në Shqipëri për shkak të rastit tragjik të vrasjes nën tortura të Ilia Karelit në Greqi. Nga ana tjetër, grupimet për të drejtat e njeriut, ato kundër dhunës në burgje, kundër torturës, shoqatat humanitare, mor po qoftë edhe ato fetare, as nuk u ndien dhe as lëvizën gishtin për t’u organizuar qoftë edhe në një ndezje formale qirinjsh. Organizata që gjallojnë vetëm për të përfituar fonde e që s’lënë rast pa dalë në TV plot indinjatë edhe në raste kur flitet për qumështin e skaduar, shkruan nga një deklaratë të dërguar me spam-mail dhe kaq, duke e zhvendosur aktivizimin e tyre në mënyrë të parrezikshme dhe individuale në distancën higjienike të Facebook-ut.

Grupimet e vetme që morën iniciativën për ta distiluar në veprim gjithë masën e stërmadhe të sensibilitetit të prodhuar në shumicë nga qytetarë pa udhëheqje, ishin ato të mirënjohurat për krijime kauzash që favorizojnë larg e larg partinë rreth së cilës ato satelitojnë de-facto. Në përgjithësi është e vështirë të martosh një qëllim partiak me një kauzë qytetare. Për këtë arsye edhe produkti, pjella e kësaj martese – që ishte organizimi në fjalë – u arrit me vështirësi, me vonesë dhe me ngërç. Atij i mungoi frymëzimi, sloganet, principet dhe sinqeriteti.

Në mitingun e mbajtur pranë ambasadës greke, ti mund të dëgjoje oratorë të cilët në pauzat mes një kori racist dhe një djegieje flamuri, merrnin përsipër të flisnin në emër të të gjithëve, por as emrin s’i dinin të saktë njeriut për të cilin po protestonin. Për shkak të artificializmit në devocionin ndaj kësaj kauze, drejtuesit e këtyre grupimeve e patën të vështirë të mobilizojnë njerëzit në mënyrën e duhur. Të ardhur kryesisht nga forume të djathta, ata ndienin vështirësi për të bërë të tyren një kauzë të drejtash njeriu e kësisoj tërësisht të majtë, siç ishte ajo e abuzimit në një institucion represiv të një njeriu, të një të huaji, një emigranti, një të varfri, një qytetari të dorës së dytë.

Për këtë arsye, tubimi pa edhe shkulme të tërbuara karikatureske folklorizmi, nacionalizmi ekstrem, primitivizmi antigrek, mungesë substance solide në argumentim dhe thirrje në ndihmë të një retorike krejt simetrike me atë fashisten, ksenofoben dhe çnjerëzoren në duart e së cilës një njeri përfundon rëndom në viktimë, si Ilia Kareli. Turma në fjalë nuk arriti të bëhet dot masë e organizuar dhe e logjikshme. Ajo mbeti një turmë individësh shpesh të çkoordinuar, të frustruar dhe të desocializuar që thjesht gjetën një mënyrë për të konfirmuar se instinktet e tyre aspak humane, ishin identike me ato të individit tjetër përbri.

Sikurse përshkruante në mënyrë patetike dhe për arsye krejtësisht partiake Erion Braçja – rreth kësaj kauze u mblodhën gjithë maskarenjtë. Në të vërtetë, maskarallëku i vetëm që zbulohet si përfundim nga piktura në fjalë, është fakti se nën kujdesin e veçantë të politikës (ku bën pjesë edhe ish-protestuesi Braçe, aktualisht deputet i Fierit, zonës nga vinte edhe Ilia Kareli), sot në Shqipëri nuk ka shoqëri civile të mirëfilltë, por vetëm një skelet të shoqërisë civile. Një fantazmë publike që ushqehet nga demonizimi i vazhdueshëm prej atyre që kontrollojnë mjetet financiare e bashkë me to, edhe pushtetin. Një gërdallë morale që tërhiqet me kapistër përmes mercenarizmit, presionit dhe blerjes së hapur. Një rrënojë shoqërore e cila mbahet qëllimisht në këmbë përmes inkurajimit të injorancës, indiferencës apo më keq, neveritjes prej politikës, si dhe edukimit të mjerueshëm qytetar në arsim. Një kadavër politike që shumëfishohet nën shthurjen e krejt tekstilit tonë social përmes promovimit të kulturës së spektaklit dhe përçmimit të mendimit kritik, përmes ngritjes në apogjeun e pushtetit të kokëboshit pa lëndë dhe veçimit diskriminues të meritorit.

Për gëzimin e zyrtarëve partiakë që vetëquhen “politikanë”, shoqëria civile në këtë vend është shpënë në vdekje klinike, ashtu siç kanë përfunduar më herët edhe lëvizja sindikale, media e pavarur e në përgjithësi çdo instrument i shoqërisë që do të prodhonte kërkim llogarie ndaj kastës që alternon vetveten periodikisht në pushtet. Shoqëria shqiptare është tërësisht e çarmatosur përballë agresionit dhe sigurisht, teknicienët e këtij degjenerimi kanë të drejtë të tallen, përqeshin e festojnë.

Një tjetër element demoralizues në sfondin e ngjarjeve të ditëve të fundit është edhe dëshmimi i korrupsionit moral të së ashtuquajturës “e majta” e painkuadruar shqiptare. E shpërndarë në disa formacione dhe linja të vetëdeklaruara mendimi që nga radikalët shik neo-leninistë te kripto-thirdëayistët me bluzë çegevare, kjo e fundit dështoi të artikulojë ndonjë qëndrim serioz, ta problematizojë në mënyrë parimore atë, të shfaqet e organizuar në mbrojtje të kësaj kauze dhe të marrë lidershipin e saj. Siç thoshte më dëshpërim një mik grek gjatë një prej protestave të këtyre ditëve, të paktën në Greqi ka deri grupe ekstremiste që i bëjnë të tyret kauza si ajo e Ilia Karelit – pa pyetur për përkatësinë etnike të këtij të fundit, pasi janë principet ato mbi të cilat ata arsyetojnë – dhe i vënë qëllim vetes deri një lloj përndjekjeje personale politike mbi autoritetet përgjegjëse.

Në Shqipëri, s’ekziston as ky minimum, sado i gabuar, reflektimi veprimtar. Partiakëzimi i përfaqësuesve të asaj që do të duhej të ishte e majta radikale në Shqipëri, i shtyn ata të perceptohen tashmë në mënyrë të patundur si vegla në duart e pushtetit. Si kapsolla të zhurmshme në shërbim të kastës që i mban ata si municion rezervë për përdorim të brendshëm në luftërat e vogla guerrilase për dominim brenda qeverisë. Kjo është arsyeja pse sot ti mund të shikosh në Shqipëri “të majtë” që protestojnë për t’i bërë presion Ilir Metës të kuptojë kufizimet e tij brenda qeverisë, por jo të majtë që protestojnë për të mos toleruar instalimin e një forme autoritare shteti që mbahet përmes hiper-rekrutimit policor, shantazhit dhe censurës mediatike.

Në fund të fundit, kjo është një tjetër disfatë e Shqipërisë dhe një tjetër arsye pse Edi Rama, mbase s’e ka keq. Ndoshta vërtet gabimin e kanë ata njerëz që nuk kuptojnë se Saimir Tahiri, në fakt, nuk duhet kritikuar, por duhet admiruar.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA