
Deputeti i PD, Arben Ristani, në një deklaratë për shtyp të mbajtur paraditen e së martës ka shprehur sërish shqetësimin e opozitës për intensifikimin sipas tij të trafikut të drogës drejt Italisë.
“Një gomone ma kanabis u kap dje në Bari. Kjo konfirmon shqetësimin e opozitës për përfshirjen e segmenteve të caktuara të Shqipërisë në trafikun e drogës. Kjo “medalje” për ministrin Tahiri e bën edhe më emergjente situatën”, deklaroi Ristani.
Në këtë drejtim, theksoi ai, llogari duhet të japë edhe ministrja e Mbrojtjes, si përgjegjëse për përfshirjen e supozuar nga opozita të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.
“Emergjente është edhe thirrja e ministres së Mbrojtjes në seancë dëgjimore për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës”, tha Ristani, për të shtuar se narkotrafiku po bëhet gjithnjë e më shqetësues.
“Kjo dukuri po shqetëson jo vetëm Italinë fqinje por edhe gjithë Evropën. I bëjmë thirrje kryeministrit që ta ndalë këtë trafik, që nuk bëhet pa miratimin e tij dhe ministrave të tij. Shqipëria e përfshirë në hartën e trafikut të drogës nuk është Shqipëria që duam ne”, tha më tej Ristani.
Top Channel