
Subvencionet për bujqësinë këtë vit do të shpërndahen sipas skemës së re mbështetëse, e cila është e orientuar drejt prodhimit final të fermerëve.
Drejtorja e Agjencisë së Pagesave, Suela Popa njoftoi nisjen që nga dita e sotme e aplikimeve për përfitimin e subvencioneve për të gjithë fermerët dhe agropërpunuesit në vend.
“Kemi një rritje prej 70% të buxhetit, konkretisht rreth 15 mln dollarë që do të jenë të dedikuara drejt stimulimit të prodhimit. Jemi të orientuar drejt rezultatit, synojmë të garantojmë një lidhje të prodhuesit, tregtarit dhe konsumatorit”, deklaroi Popa.
Skemat parashikojnë mbështetje për infrastrukturën në grumbullim, ruajtje, përpunim dhe tregtim të produkteve, teknologjinë bujqësore, cilësinë e produkteve dhe sektorë në të cilët vendi ynë ka avantazh konkurrues. Ato e shtrijnë efektin e tyre që nga data 1 janar 2014.
“Skemat parashikojnë mbështetje për bagëtitë e imta, si dhe për herë të parë prezantojnë mbështetjen financiare për zhvillimin rural, si promotor i agroturizmit, konkretisht me rehabilitimin e ullishteve shekullore. Gjithashtu, për herë të parë mbështesim akuakulturën, burim potencial i pashfrytëzuar deri më sot”, saktësoi Popa.
Top Channel