
Shtimi i listës së barnave të rimbursueshme me disa medikamente që trajtojnë një sëmundje ku pacineti mund të zgjedhë por dhe shpesh orientimi i mjekëve për të marrë x medikament, duke mos u treguar se cilin e kanë të rimbursueshëm 100%, bën që pacientet shpesh të ankohen kur u duhet të paguajnë.
“Pacientët kanë problem me listën e barnave kur e shohin se ilaçet që deri dje i kanë marrë falas, sot do t’i paguajnë me lekë dhe ndoshta me një diferencë më të madhe se dje”, tregon farmacisti Florian Marku.
Çdo mjek ka para listën e barnave të rimbursueshme, ku alternativa e parë për çdo sëmundje është falas, spjegojnë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
“Të gjitha këto barna janë të barazvlefshme. Pacienti, duke u zgjeruar alternativa tregtare, ka më shumë mundësi zgjedhjeje. Por në listë është ruajtur e njëjta masë mbulimi si më parë. Nëse ai zgjedh alternativën e parë ai rimbursohet 100 për qind, ndërsa nëse zgjedh alternativa të tjera duhet të paguajë pak më shumë”, deklaron Tanja Memi, drejtore e rimbursimit në FSKSH.
Por përveç mjekut edhe vetë pacientët mund të futen në internet nëpërmjet kompjuterit ose celularit në www.isksh.com.al e më pas të klikojnë në e-Barna 2014, ku mund të shikojnë listën e barnave të rimbursueshme, alternativën e parë që rimbursohet 100% apo nëse zgjedh alternativë tjetër, çmimin real të tij, pjesën sa mbulon FSKSH dhe pjesën që paguan pacienti.
Në Drejtorinë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore theksojnë se mjekut i ndalohet në mënyrë absolute të përshkruajë në recetë emrin tregtar të ilaçit apo të orientojë pacinetin të marrë prodhimin e një x kompanie.
Top Channel